Vuçiç, hoqi gjendjen e “gatishmërisë së lartë ushtarake”

ushtria e serbiseMinistria e Mbrojtjes e Serbisë tha se ka marrë urdhër nga presidenti Aleksandër Vuçiç, për heqjen e “shkallës së lartë të gatishmërisë” për ushtrinë serbe. Të shtunën mbrëma, presidenti serb, tha se ka vënë ushtrinë në gjendjen më të lartë të gatishmërisë dhe “Serbia nuk do të lejojë dhunë mbi serbët në Kosovë”.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, shkoi të shtunën në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, në një vizitë të paparalajmëruar. Ai qëndroi edhe në liqenin e Gazivodës, që është edhe një nga pikat e nxehta të bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Një pjesë e liqenit artificial që është ndërtuar vitet e 80-ta, shtrihet në Serbi dhe ka rëndësi për furnizimin më ujë të termocentraleve të Kosovës dhe në muajt e verës edhe të disa komunave të Kosovës. përfshirë edhe kryeqytetin.

Në një deklaratë pas vizitës presidenti Thaçi ai tha se “ishte një vizitë e zakonshme fundjave” ndërsa ritheksoi se “Kosova është një, e pandashme, e pavarur dhe shumetnike”.

Ai tha se bisedimet me Serbinë, që po zhvillohen në Bruksel, do të jenë për paqe dhe qëndrueshmëri, për njohjen e ndërsjellë Kosovë-Serbi dhe për ardhmërinë euroatlantike.

Por, vizita nxiti reagimin e zemëruar të Beogradit. Presidenti i Serbisë, tha të shtunën mbrëma se shfaqja e njësive të posaçme të policisë së Kosovës në veriun e banuar me shumicë serbe është sulm mbi paqen. Ai tha se veprimi i tillë “ishte orvatje që nga Serbia të nxitet përgjigja që do të mund të shfrytëzohej për satanizimin e saj”.

Duke akuzuar Prishtinën për shkelje të marrëveshjeve të arritura në bisedimet në Bruksel dhe se synim i saj “është marrja e veriut të Kosovës”, ai kritikoi edhe forcat paqeruajtëse dhe Bashkimin Evropian për mosveprim dhe u shpreh i zemëruar edhe me thirrjet e Bashkimit Evropian që “palët të reagojnë me qetësi dhe vetëpërmbajtje”.

Liqeni i Gazivodës/Ujmanit, u vizitua nga presidenti serb më 8 shtator, vetëm një ditë pasi kishte dështuar një raund i ri bisedimesh të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Gjatë verës, ai dhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kërkuan mbështetje ndërkombëtare për një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve që mund të përfshinte edhe ndryshimin e kufijve.

Presidenti Thaçi, po vazhdon të përsërisë idenë e tij për “korrigjimin e kufirit”, që nënkupton bashkimin e luginës së Preshevës, një rajon me shumicë shqiptare në jug të Serbisë, me Kosovën.

Ai tha të martën gjatë punimeve të Forumit Ekonomik Botëror në Zvicër, se ka një mundësi shume të vogël për një marrëveshje historike me Serbinë dhe nëse nuk shfrytëzohet, do të ketë një dekadë tjetër të konfliktit të ngrirë dhe status quos.

Ideja e tij nuk është përkrahur në Kosovë, ku edhe është protestuar kundër saj.

Presidenti serb ditë më parë e shpalli të humbur politikën e tij të vënies së kufirit ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve, që nënkuptonte ndarjen e Kosovës.

Idetë për prekje kufijsh kanë nxitur edhe reagime të ndara në skenën ndërkombëtare ndërmjet atyre që do ta pranonin një marrëveshje ndërmjet palëve dhe atyre që pohojnë se kjo do të kishte pasoja të rënda për rajonin e Ballkanit Perëndimor. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>