Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha të premten mbrëma se gjatë fundjavë do të vizitojë Kosovën, ndonëse në 24 orët e fundit ishte paralajmëruar mundësia që ai të heq dorë nga planet e tij.
Në një fjalim drejtuar opinionit serb ai tha se “do të shkojë në Kosovë dhe do ta fillojë vizitën në Gazivodë dhe në qendrën ekologjike atje. Pres që gjithçka të kalojë mirë dhe pres që atje, në mënyrën më normale t’iu drejtohem njerëzve dhe t’u tregoj se sa është i rëndësishëm liqeni i Gazivodës, jo vetëm për serbët por edhe për shqiptarët në Kosovë”, tha ai.
Të premten zyrtarët serbë thanë se presidenti Vuçiç ka urdhëruar ushtrinë, policinë dhe shërbimin serb të zbulimit, që të shkëpusin çdo kontakt me autoritetet vendase e ndërkombëtare në Kosovë dhe se të premten në mbrëmje, do të vendosë nëse do të shkojë apo jo në Kosovë.
Zyrtarët serbë thanë se kjo ishte rrjedhojë e refuzimit të Prishtinës zyrtare për t’i dhënë leje atij që të qëndrojë për një vizitë në liqenin e Gazivodës, që është edhe një nga pikat e nxehta të bisedimeve.
Presidenti Thaçi tha se ai ka leje për të vizituar Kosovën duke vlerësuar se është i nevojshëm një komunikim për të dërguar mesazhe paqeje tek qytetarët serb.
Ministri i Jashtëm i Kosovës Behgjet Pacolli tha se për çdo vizitë zyrtarët serbë duhet të bëjnë kërkesë të qartë dhe të arsyetojnë atë.
“Nëse vjen një kërkesë tjetër dhe artikulohet arsyeja e vizitës tek Ujmani, do ta konsiderojmë sigurisht”, tha zoti Pacolli.
Pak para fjalimit të presidentit serb, autoritetet në Kosovë kanë dhënë lejen që ai të qëndrojë edhe në liqenin e Gazivodës, me kërkesën e diplomatëve perëndimorë.
Presidenti i Serbisë e kishte paralajmëruar ditë më parë një vizitë në veriun e Kosovës duke thënë se është duke përgatitur fjalimin më të rëndësishëm të jetës së tij, për t’u shpjeguar qytetarëve serbë procesin e bisedimeve dhe çfarë mund të përfitojnë ata dhe Serbia prej tij.
Presidenti serb Vuçiç kishte thënë se do t’u shpjegojë hapur qytetarëve serbë mundësitë e kufizuara të Serbisë në Kosovë në dritën e diskutimeve që kanë përshirë edhe mundësinë e ndryshimit të kufijve.
Këto mundësi, përveç reagimeve të brendshme në Serbi dhe Kosovë, nxitën ndarje edhe në skenën ndërkombëtarë midis atyre që mbështesin një ndryshim nëse bëhet me pajtimin e palëve dhe atyre që e kundërshtojnë atë, për shkak të pasojave që mund të kishte për rajonin.
Të premten presidenti serb refuzoi të takohet me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi në Bruksel, për shkak të siç u tha qasjes së Prishtinës ndaj procesit. Ai tha se gjatë tre ditëve të fundit kishte pasur shumë trysni posaçërisht mbi Listën Serbe, që të votojë për shef të delegacionit negociues Kosovës me Serbinë, Fatmir Limajn, të cilin Serbia e akuzon për krime lufte. Ai përmendi edhe trysni të tjera siç tha ndaj serbëve dhe Serbisë.
Megjithatë, sipas tij, me gjithë zhvillimet e së premtes në Bruksel, bisedimet do të vazhdojnë sepse ndërprerja e tyre është e pamundur dhe do të kishte pasoja të rënda për popullin serb dhe popullin shqiptar. (voa)