Vuçiçi drekon me Merkelin

Merkel VucicTemë e bisedës ishte dhe Kosova, por as njëri as tjetri nuk dha hollësi. Theksohet roli i Serbisë në rajon.

Se çfarë mendon Kancelarja gjermane Angela Merkel për një propozim eventual të Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç për raportet me Kosovën, kjo nuk dihet ende. Të premten Presidenti serb Vuçiç ka biseduar me Kancelaren gjermane për Kosovën, por të dy krerët ranë dakord që të heshtnin.

Në deklaratat e tij për mediat serbe, Vuçiç tha pas takimit shprehjen tashmë të njohur: “Jemi të gatshëm për një kompromis për Kosovën, por për këtë duhen dy palë”.

Para takimit, kancelarja Merkel riofroi gatishmërinë e saj për të ndihmuar në zgjidhjen e tensioneve: “Serbia luan një rol kyç në rajon, si për Kosovën ashtu edhe për Bosnjë-Hercegovinën”, theksoi Kancelarja para takimit.

Se si dhe në çfarë forme do të jetë angazhimi i Gjermanisë në zgjidhjen e kësaj çështjeje, Merkel nuk e konkretizoi. Ajo tha se po e mirëpret samitin e ardhshëm të vendeve anëtare të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor, që do të zhvillohet më 17 maj 2018 në Sofje, si edhe konferencën e ardhshme, në kuadër të të ashtuqajturit proces të Berlinit, që do të zhvillohet në korrik 2018 në Londër.

Kontakte të shpeshtuara mes Beogradit dhe Berlinit

As dy muaj nuk kanë kaluar që nga vizita e fundit në Berlin e Presidentit serb Vuçiç. Asokohe Serbisë iu premtua mbështetje në procesin e saj drejt BE-së, kur veç reformave të shtetit ligjor, rolin kryesor e luan zgjidhja e çështjes së Kosovës.

Por afro një muaj më pas marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë u tensionuan, kur qeveria e Kosovës dëboi ministrin serb për Kosovën Gjuriç nga Mitrovica e Veriut. Vuçiçi kërkoi ndihmën e Rusisë për zgjidhjen e problemit, sepse sipas tij Perëndimi favorizonte shqiptarët.

Ndaj kësaj  afërie të dyfishtë të Serbisë si me BE-në, ashtu edhe me Rusinë, Berlini reagon me diplomaci: “Ne nuk mund t’u diktojmë partnerëve tanë se me kë mund të bisedojnë”, i tha zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Seibert DW të premten në Berlin.

Ndërsa Vuçiçi vjen rregullisht disa herë në vit në Berlin dhe edhe më shpesh ka bisedime telefonike mes tij dhe kancelares Merkel, kontaktet e Kancelares Merkel me krerët e Kosovës janë thuajse inekzistente. (dw)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>