Vuçiq: Kemi presion nga SHBA-ja e BE-ja për njohje të Kosovës

Aleksandar_Vucic-ReutersVuçiq: Kemi presion nga SHBA-ja e BE-ja për njohje të Kosovës, s’mund t’i them jo Grenellit

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se po iu bëhet presion nga ndërkombëtarët lidhur me dialogun Kosovë-Serbi.

Ai ka deklaruar se propozimi i të dërguarit të posaçëm të SHBA-ve për dialogun, Richard Grenell dhe të dërguarit të BE-së, Miroslav Lajçak, janë që Kosova të jetë e pavarur dhe kanë kërkuar nga Serbia që të pranohet kjo.

Ai shtoi se bisedimet do të mbikëqyren nga BE sepse, Serbia siç thotë ai po e ndjek rrugën evropiane, raporton Prva Tv.

Presidenti serb tha se po iu bëhet presion nga të gjithë për të arritur një zgjidhje, por, sipas tij, të gjithë janë për Kosovën e pavarur, prandaj ai më 23 qershor do të shkojë në Moskë, kurse tri ditë më vonë në Uashington.

“Nuk do të ndryshojnë qëndrimin e tyre as Gjermania as Britania e Madhe [lidhur me statusin e Kosovës]. Pres ardhjen e Miroslav Lajçakut [në Serbi] menjëherë pas zgjedhjeve, ndoshta më 22 qershor. Më 23 qershor do të shkoj në Moskë, më 25 ose 26 qershor do të shkoj në Uashington. Të gjithë po na bëjnë presion. Nuk e di pse është e rëndësishme nëse do të na ulin në tryezë Lajçak, ose Grenell, kjo nuk do të ndryshojë asgjë. Propozimi i tyre do të jetë Kosova e pavarur dhe Evropa dhe Amerika do të na kërkojnë ta pranojmë këtë në një mënyrë ose një tjetër. Bisedimet kryesore do të zhvillohen nën përkujdesjen e Bashkimit Evropian, sepse ne jemi në rrugën evropiane”, tha Vuçiq.

Më tutje, Vuçiq shprehet se Serbia nuk do t’i thotë “jo” Grenellit dhe se kjo nuk do t’i ndihmonte. Por ai ka ripërsëritur se është për kompromis, por pa u dorëzuar përballë presionit.

“Ne sigurisht do ta pranojmë palën evropiane, sepse jemi në rrugën evropiane, por nuk mund t’i themi ‘jo’ Grenellit. Kjo nuk do të na ndihmojë fare. Për ne është e rëndësishme harmonia jonë, uniteti ynë dhe është i rëndësishëm që njerëzit të shkojnë në votime. Të treguar se kemi forcë të mjaftueshme për të thënë ‘jo’ ose për të pranuar një kompromis. Ne nuk mund ta zgjidhim lehtë këtë, kjo është arsyeja pse unë thashë që Serbia nuk do të shkojë me flamur të bardhë”, tha Vuçiq.

Më tej ai duke folur për platformën e tij, tha se “…ata [BE dhe SHBA] duan që Serbia të mos marrë asgjë. Ne duhet të negociojmë, madje duhet të negociojmë edhe për asgjë… Kosova është një shtet i pavarur, ajo qëndron në platformën e Evropës dhe Amerikës, kurse në vendin tonë Kosova është pjesë e Serbisë”, ka thënë Vuçiq.

koha

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>