Kërkesa zyrtare e Serbisë për Bashkimin Evropian është që të ketë sa më shumë takime në kuadër të dialogut me Kosovën, tha më 24 nëntor, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.
Gjatë një konference për media, Vuçiq tha se këtë kërkesë e ka bërë edhe gjatë një takimi që zhvilloi më 23 nëntor në Beograd me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
“Serbia kërkon dhe dëshiron negociata me Prishtinën në çdo nivel, sa më parë, sa më shumë e sa më shpesh. Mendoj që është me rëndësi të flasim për secilën temë, për Asociacion e rrymën, por edhe të tentojmë të bëjmë çfarëdo, qoftë besim minimal mes nesh të mos vijmë në situata në të cilat ndodheshim para një muaji”, tha Vuçiq.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve lidhur me temat që ka diskutuar me Lajçakun, Vuçiq tha se ka shumë çështje për të cilat bisedojnë me zyrtarët e BE-së, por tha se Serbia insiston në takime më të shpeshta me palën kosovare.
“Kishim biseda korrekte dhe ne jemi duke kërkuar negociata, jo që jam i fascinuar me Kurtin, por thjesht duhet të ketë rezultatet mes nesh, andaj është më mirë të negociojmë. Detaje të bisedës me Lajçakun nuk dua të shpalosi tani. Janë shumë çështje për të cilat flasim, që nga personat e zhdukur deri tek Asociacioni i komunave me shumicë serbe”, tha ai.
Përveç Vuçiqit, Lajçak është takuar më 22 tetor në Vjenë edhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, me të cilin tha se diskutoi për progresin në dialog.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 16 nëntor, kryeministri Kurti ka thënë se për të zhvilluar takim me presidentin Vuçiq duhet të dihen elementet e takimit dhe që ai të jetë parimor.
Takimi i fundit – në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja – ndërmjet presidentit serb, Vuçiq dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti ka ndodhur në muajin korrik.
Presidenti i Serbisë po ashtu komentoi edhe deklaratat e kryeministrit Kurti lidhur me bashkimin me Shqipërinë. Vuçiq tha se për të është e papranueshme që askush nuk ka reaguar ndaj deklaratave të tilla dhe paralajmëroi se do t’u dërgojë liderëve botërorë për të kërkuar sqarime për këtë.
“Do të kërkoj përgjigje se si është e mundur që Albin Kurti, kryeministër i institucioneve të përkohshme, shumë qartë para disa ditësh foli për bashkim me Shqipërinë dhe askush nuk reagoi”, tha Vuçiq.
Kurti, gjatë një interviste për “Monocle”, ka deklaruar se nëse në të ardhmen do të organizohej një referendum paqësor dhe demokratik, ai do të votonte për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.
Gjatë kësaj konference, Vuçiq po ashtu njoftoi se më 24 nëntor do të niset drejt Soçit të Rusisë për t’u takuar me presidentin rus, Vladimir Putin, prej të cilit, siç tha Vuçiq, do të kërkojë mendimin se si të pozicionet Serbia në botë.
“Nesër do të kem takim me presidentin rus, Vladimir Putin e ky është takimi ynë i 19-të. Ky është takim i rëndësishëm për Serbinë dhe do të flasim për shumë çështje të rëndësishme, por dua të dëgjoj nga ai se si e sheh situatën në Evropë e Azi, e ne si shtet i vogël të gjejmë pozitën më të mirë për ne në këtë botë turbulente”, tha ai.
Rusia është partnerja e katërt tregtare e Serbisë.
rel