Vuçiq: Pa Asociacion s’ka kthim në institucione, as zgjedhje

Vuçiq dhe Albin KurtiPa themelimin e Asociacionit serbët nuk do të marrin pjesë në zgjedhje, thotë Vuçiq, kurse Prishtina këmbëngul në mbajtjen e zgjedhjeve më 23 prill. A mund të zhvillohen në këto kushte zgjedhjet në katër komunat në veri?

 

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se kusht për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës është themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Pa themelimin e këtij Asociacioni, serbët nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet në veri që pritet të mbahen më 23 prill, ka thënë Vuçiq. Presidenti serb takoi në Rashkë të Serbisë, përfaqësuesit politik të serbëve të Kosovës për të diskutuar, siç u tha, “gjendjen e rëndë të sigurisë dhe zgjedhjet për kryetarë të katër komunave veriore të Kosovës, Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut.

Në takimin në Rashkë përfaqësuesit e serbëve të Kosovës dhe Presidenti i Serbisë u pajtuan për disa pika. I bëhet thirrje Bashkimit Evropian të reagojë ndaj institucioneve në Prishtinë për shkeljen e marrëveshjes për targat e makinave, të formohet pa kushte dhe urgjentisht Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, të tërhiqen njësitë speciale të policisë së Kosovës nga veriu,  që zgjedhjet në veriun e Kosovës të mbahen pas themelimit të Asociacionit dhe se Serbia do të marr të gjitha masat ligjore për të siguruar të drejtat e serbëve në Kosovë.”

“Nuk kërkojmë asgjë më shumë se Prishtina, pa vonesë, të veprojë në përputhje me marrëveshjet në dialog, si dhe me të gjitha dokumentet e tjera relevante të së drejtës ndërkombëtare. Në këtë kuptim, ekipi negociator serb autorizohet që në përputhje me të drejtat që i janë garantuar palës serbe në marrëveshjet e deritashme për targat, të bëjë përpjekje shtesë për gjetjen e një zgjidhjeje kompromisi për këtë çështje”, tha Vuçiq.

 

Prishtina reagon: Vuçiq përdor Listën Serbe për tensione në Kosovë

I menjëhershëm ishte reagimi i Prishtinës, sipas së cilës Presidenti serb Vuçiq “po vazhdon ta përdorë Listën Serbe për të nxitur tensione në Kosovë”. Kreu i ekipit drejtues në Kabinetin e Presidentes të Kosovës, Blerim Vela, shkroi në Twitter se “Vuçiqi po tenton t’i bllokojë zgjedhjet e 23 prillit në veri të Kosovës duke vepruar në kundërshtim me nenin 1 të marrëveshjes me Kosovën për njohjen e targave RKS të veturave dhe se po bën kërkesë të kundërligjshme për largimin e Policisë së Kosovës nga veriu i Kosovës”. Autoritetet në Kosovë po vazhdojnë përgatitjet për mbajtjen e zgjedhjeve në katër komunat në veri të Kosovës. Vendimi për zgjedhjet në këto komuna, erdhi pasi kryetarët e këtyre komunave, bashkë me serbë të tjerë, më 5 nëntor të vitit të shkuar dhanë dorëheqje, në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për të nisur procesin për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe në targa me inicialet e Kosovës RKS. Megjithatë, në Prishtinë po shtohen zërat që zgjedhjet në veri të shtyhen për një kohë tjetër.

Ish-kryeministri i Kosovës njëherësh kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, bëri thirrje gjatë një seance të parlamentit që zgjedhjet në veri të shtyhen. “Cili është interesi ynë me vazhdu me mbajt policinë e Kosovës në situatën çfarë janë atje dhe po ashtu me insistu ose me harru që kemi përgjegjësi për gjendjen atje. Unë i bëj thirrje Qeverisë, presidentes, institucioneve të vendit që ta marrin me seriozitet gjendjen në veri dhe ta marrin një vendim lidhur me këtë situatë. Cili do të duhej të ishte ai vendim, unë besoj shumë është shtyrja e zgjedhjeve”, tha zoti Haradinaj.

 

DnV: Mosregjistrimi i kandidatëve serbë rrezikon legjimitetin e zgjedhjeve

Sipas organizatave joqeveritare që monitorojnë zgjedhjet, rrethanat aktuale, nuk e mundësojnë organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve në veri të Kosovës, ashtu si kërkohet në përputhje me standardet për zgjedhje të lira. “Në Mitrovicë të Veriut dhe Zubin Potok, ku komuniteti serb përbën mbi 90 për qind të popullsisë, nuk është regjistruar asnjë kandidat nga radhët e komunitetit serb. Demokracia në Veprim vlerëson se kjo situatë mund të cenojë legjitimitetin e institucioneve që do të dalin nga zgjedhjet, pasi nuk garanton përfaqësim të drejtë të komunitetit serb”, thuhet në një reagim publik të organizatës joqeveritare, Demokracia në Veprim (DnV).

Megjithatë autoritetet e Prishtinës duken të vendosura në mbajtjen e zgjedhjeve në veri. Për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti refuzimi i Listës Serbe për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale është “shenjë e kontrollit të Beogradit mbi partinë dhe e ndërhyrjes së vazhdueshme në punët e brendshme të Kosovës”. Kryeministri thotë se zgjedhjet në veri do të mbahen dhe “kushdo që synon të cenoj mbajtjen e tyre, do të përballet me forcën e ligjit”. “Pluralizmi politik dhe e drejta e votimit lirshëm dhe pa pengesa të komunitetit serb janë të domosdoshme. Kushdo që vijon të cenoj këtë të drejtë themelore nuk ka çfarë të pres tjetër përveçse përgjigjen e institucioneve tona me forcën e ligjit”, ka thënë Kurti. Ai premton, se  “institucionet e Kosovës do të ofrojnë siguri për qytetarët në veri pa dallim”.

dw

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>