Kreu i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, përpjekjen për të “deportuar” tre drejtuesit e VV-së nga Tirana i cilëson të diktuara nga qeveria. “Na kujtohet shumë mirë koha kur Serbia pretendonte se të gjithë shqiptarët në Kosovë janë të ardhur nga Shqipëria. Kështu Serbia legjitimonte projektin e ardhshëm gjenocidal ndaj shqiptarëve për të bërë Kosovën të Serbisë. Ky regjimi i sotëm policor qëndrimin e ka më të butë: ata po thonë që shqiptarët ‘po shkaktojnë trazira’, dhe se problemet për Republikën vijnë nga Republika e Shqipërisë. Kështu deklaroi Isa Mustafa, kështu deklaroi këshilltari i tij lojal Bajram Gecaj, e të tjerët si këta. Dhe menjëherë, siç e do rregulli me këtë lloj pushteti, filloi me punën propaganda shpifëse mediatike që e kërkon ‘deportimin!’ e këtyre problemsjellësve nga Republika e Shqipërisë”, shprehet Ymeri perms një statusi në “Facebook”.
Peticioni i qytetarëve, protestat nëpër rrugë e sheshe dhe deputetëve në Kuvend e aktivistëve në aksionin politik, sipas kreut të Vetëvendosjes janë kundër ‘Zajednicës’ së Serbisë. “Kosovës kërcënimet e shqiptarëve në Kosovë i kanë ardhur nga Serbia e jo nga Shqipëria. Kjo ka qenë e vërtetë atëherë, para Luftës së Dytë Botërore, pas saj, gjatë Rankoviçit, gjatë viteve ‘60, ‘70, ‘80, e ‘90, para luftës së UÇK-së, gjatë saj, e është e vërtetë edhe sot. Edhe sot Republika e Kosovës kërcënohet e rrezikohet nga ‘Zajednica’ e Serbisë. Është e papranueshme dhe neveritëse kjo propagandë e pushtetit që nxit urrejtjen ndaj shqiptarëve nga Tirana, Shkodra, Elbasani, Durrësi e Vlora. Kjo mënyrë e të menduarit dhe të vepruarit, përveç antikombëtare, është provinciale e përjashtuese. Republika e Kosovës jetësohet me deportimin e ‘Zajednicës’. Ky është problemi që duhet shporrur, i cili jo vetëm që po e trazon, por po kërcënon ta rrënojë Republikën duke ia gërryer dheun nën këmbë. Shqiptarët do të bashkëjetojnë e do të bashkëpunojnë përkundër vullnetit të Mustafës me shokë që ta pengojnë këtë”, përfundoi Ymeri. (shekulli)