Viti 2016 nis me protesta nga ana e opozitës në Kosovë, kësaj here edhe me kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Isa Mustafa, si dhe zëvendësit të tij Hashim Thaçi.
Në një intervistë për Top Channel, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka arsyetuar veprimet e opozitës brenda Kuvendit të Kosovës, të cilat – siç thotë, – janë në mbrojtje të Republikës nga dy marrëveshje të dëmshme për vendin.
Ymeri bëri të ditur se, për sa kohë që qeveritarët qëndrojnë në pozicionet e tyre, këto dy marrëveshje do të kundërshtohen edhe me metoda të tjera, përveç atyre që janë parë deri më tani, duke nisur me protestën e paralajmëruar të 9 janarit.
“Do të ketë protestë me metoda, që i kemi parë deri më tani, por edhe me metoda të tjera, të cilat nuk i kemi përdorur. Protesta e 9 janarit është jashtzakonisht e rëndësishme, sepse do të duhej të ishte goditja përfundimtare ndaj këtyre marrëveshjeve dhe, në anën tjetër, do të niste një proces të ri të të protestuarit kundër kësaj qeverie, të përbërë nga shkelës të Kushtetutës. Këta e kanë mundësinë e dorëheqjes nga pozicionet e tyre, kanë arsye të bollshme për të dhënë dorëheqje, veçanërisht për shkak të këtyre shkeljeve ndaj Kushtetutës, mirëpo nëse nuk e bëjnë një gjë të tillë, atëherë natyrisht që qytetarët e Republikës do t’i detyrojnë këta të largohen nga pushteti”, tha Visar Ymeri, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje.
Ymeri tha se, Kosova është kthyer në një mjedis antidemokratik, ku nuk janë marrë parasysh debatet e shumta dhe, si pasojë, protesta mbetet metoda e vetme e kundërshtimit.
Kreu i Vetëvendosjes deklaroi gjithashtu se, Kosova nuk do të lejojë që të qeveriset nga njerëz të cilët shpërfillin Kushtetutën, pasi kjo do të çonte në “bosnjëzimin” e vendit, ndaj – sipas tij, – duhet të shkohet në zgjedhje të parakohshme. Ai u shpreh i bindur se, nuk do të lejohet themelimi i Asociacionit të Komuave me shumicë serbe, veçanërisht tani që ekziston një situatë tjetër pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
“Tashmë, pas aktgjykimit, natyrisht që kemi edhe një përmasë të re të kësaj situate. Është vlerësuar që kryeministri dhe zëvendëskryeministri i Kosovës, me veprimet dhe nënshkrimet e tyre kanë shkelur Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Për hir të demokracisë dhe sovranitetit në Kosovë, nuk duhet të lejojmë që ata, të cilët janë konstatuar si shkelës të Kushtetutës, të vazhdojnë të mbesin në pozicionet e njëjta. Pra, largimi i kësaj qeverie nga pushteti është kusht i domosdoshëm për t’i hapur rrugë një procesi demokratik, që do të duhej të ndodhte në Kosovë”, tha më tej Visar Ymeri.
Alternativa – sipas Ymerit, – është e qartë: Kosova të ndërtohet si shtet i pavarur dhe sovran. Ai shtoi se, institucionet qendrore të Kosovës duhet të nisin një proces dialogu të hapur, demokratik, me të gjithë qytetarët, përfshirë minoritetet, e veçanërisht me serbët, të cilët refuzojnë të integrohen në shoqëri dhe jetën politike në Kosovë.
Ndërsa lidhur me arrestimin e deputetëve dhe aktivistëve opozitarë, Ymeri i cilësoi ato si përpjekje të pushtetit për të frikësuar qytetarët, por që – sipas tij, – kjo pati efekt të kundërt, duke irrituar edhe më shumë qytetarët.
/ Top Channel