Zelensky: Rusia do të bëjë gjithçka për të destabilizuar Ballkanin

Zelensky RamaVazhdimi i ndihmës ushtarake dhe financiare për Ukrainën dhe paralajmërime për rrezik në Ballkanin Perëndimor nga Rusia, ishin mesazhet kryesore që u përcollën pas Samitit “Ukrainë – Evropa Juglindore”, që u mbajt më 28 shkurt në kryeqytetin shqiptar, Tiranë.

Në samit, që u mbajt me ftesë të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, mori pjesë presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, së bashku me disa liderë të tjerë të Evropës Juglindore.

Pas samitit, Zelensky paralajmëroi shtetet e Ballkanit Perëndimor se Rusia do të bëjë gjithçka për të destabilizuar situatën.

“Samiti i sotëm është bashkim dhe mendoj se shtetet e Ballkanit sot duhet të bëhen bashkë. Rusia do të bëjë gjithçka për të destabilizuar situatën”, tha Zelenksy gjatë një konference të përbashkët për media me Ramën.

“Rusia nuk do të ndalet. Rusia nxjerr përfundime nga gabimet që i ka bërë në territorin e Ukrainës dhe do të destabilizojë edhe më tej, do të përdorë taktika tjera”, shtoi ai.

Edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pranoi se ekziston një rrezik i qartë për Ballkanin për shkak të agresionit rus.

“Ajo çfarë po ndodh atje [Ukrainë] mund të përsëritet në mënyra të ndryshme”, tha Rama.

Sipas Ramës, lufta mund të ndodhë, pavarësisht sa e pamundshme mund të duhet dhe që “nuk duhet luajtur me zjarrin”.

“Nëse e humbasim këtë qartësi, rrezikojmë të hyjmë në fazë të errët”, tha ai.

Gjatë konferencës për media, Rama bëri thirrje që shtetet të vazhdojnë ndihmën për Ukrainën, e cila po përballet me pushtimin rus që nga shkurti i vitit 2022. Ai tha se ndihma për Ukrainën nuk duhet të përdoret për politika të brendshme nga shtete të ndryshme.

“Ukraina meriton të mbështetet dhe ndihmohet me të gjitha mjetet e nevojshme për të rezistuar dhe të sigurohet që çdo paqe që do të dalë nga kjo luftë do jetë paqe e drejtë, e mbështetur para së gjithash në planin 10 pikësh të Zelenskyt, të cilin e mbështesim dhe duam të diskutohet nga të gjitha shtetet”, tha Rama.

Zelensky po ashtu kërkoi që të bëhet gjithçka në mënyrë që të mos ketë vonesa në dërgimin e armëve, teksa shteti i tij varet shumë nga ndihma që i ofrojnë aleatët perëndimorë për t’u përballur me forcat ruse.

“Sa më shumë që [presidenti rus, Vladimir] Putini sheh mungesat tona, aq më shumë mund të mendojë që mund të sfidojë Evropën dhe Perëndimin”, tha ai.

Çfarë u tha gjatë samitit?

Samiti në Tiranë, ku u diskutua për sigurinë dhe mbështetjen për Ukrainën, u zhvillua prapa dyerve të mbyllura. Vetëm fjalët hyrëse ishin të hapura për publikun dhe gjatë fjalës së tij, Zelensky tha se presidenti rus, Vladimir Putin, po përdor praktika nga e shkuara për të detyruar shtetet të veprojnë siç do ai.

Ai insistoi se shtetet evropiane duhet të caktojnë vetë fatin e tyre.

“Prandaj është e rëndësishme për të gjitha shtetet tona që Putini, regjimi i tij, të humbasë, sepse dështimet e tij janë siguria jonë e përbashkët”, tha ai.

Duke argumentuar se mungesa e municioneve po ndikon në fushëbetejë në Ukrainë, Zelensky përmendi mundësinë e mbajtjes së një forumi të industrisë së mbrojtjes së Ukrainës dhe vendeve të Ballkanit, për të diskutuar për bashkëprodhimin e municioneve.

Ai po ashtu shprehu mbështetjen për integrim evropian të shteteve të rajonit.

Ndërkaq, Rama tha se prania e Zelenskyt në samitin në Tiranë është tregues se Putini, pavarësisht fuqisë ushtarake që ka shteti i tij, ka dështuar të “shtypë vullnetin e ukrainasve që të jetojnë në një shtet të lirë, pavarur dhe demokratik. Ka dështuar që të heshtë të vërtetën”.

Çfarë përmban deklarata e Samitit për Ukrainën?

Në fund të samitit, pjesëmarrësit miratuan një deklaratë prej 12 pikash, përmes së cilës thanë se agresioni ushtarak rus kundër Ukrainës mbetet kërcënimi më i madh për sigurinë evropiane dhe është në shkelje flagrante të ligjit ndërkombëtar, përfshirë Kartën e Kombeve të Bashkuara, si dhe është krim kundër popullit ukrainas.

Shtetet pjesëmarrëse u zotuan se do të vazhdojnë mbështetjen për Ukrainën që ajo të triumfojë në luftën kundër Ukrainës. Ata dënuan përpjekjet e Rusisë për të mbajtur zgjedhjet presidenciale ruse në territoret e pushtuara përkohësisht të Ukrainës “që paraqesin shkelje flagrante të ligjit ndërkombëtar”.

Në deklaratë u tha po ashtu se lufta në Ukrainë është tregues se sa i rëndësishëm është uniteti, dhe një Evropë e fortë “që është në gjendje të përballet me sfidat botërore për paqe dhe prosperitet për njerëzit tanë”.

Liderët po ashtu riafirmuan përpjekjet për përparim të mëtejmë të integrimit në Bashkimin Evropian të Ballkanit Perëndimor, Ukrainës, Moldavisë dhe Gjeorgjisë.

“Ne mbështesim plotësisht të drejtën e Ukrainës për të zgjedhur vetë aranzhimet e sigurisë. Aleatët e NATO-s dhe shtetet aspiruese lavdërojnë hapat e ndërmarrë drejt anëtarësimit në të ardhmen në NATO dhe mbështesin Ukrainën që të bëhet anëtare e aleancës sapo të lejojnë kushtet e sigurisë”, u tha në deklaratë.

Në këtë deklaratë nuk u përmendën sanksionet ndaj Rusisë. Para publikimit të deklaratës, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha se sanksionet nuk janë përmendur në deklaratë me kërkesë të Serbisë.

“Pjesëmarrësit ranë dakord që ta heqin pjesën për sanksionet dhe ndikimin keqdashës të Rusisë… Jemi informuar se kjo është pranuar. Nuk ka sanksione, nuk flitet për sanksione, nuk përmendet ndikimi keqdashës rus”, tha Vuçiq gjatë një deklarimi për gazetarë.

Serbia nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë për shkak të agresionit ndaj Ukrainës, por ka përkrahur rezoluta në Kombet e Bashkuara që kanë dënuar pushtimin rus.

Në samit, përveç Ramës dhe Zelenskyt të pranishëm ishin edhe: presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, kryeministri i Kroacisë, Andrej Pllenkoviq, kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnje e Hercegovinës, Borjana Krishto, dhe presidentja e Moldavisë, Maia Sandu.

Në prag të samitit, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha për gazetarët se është e bindur që fitorja e Ukrainës kundër Rusisë dhe njohja e pavarësisë së Kosovës nga Kievi “do të vijnë bashkë”.

Kjo ishte vizita e parë e Zelenksyt në Shqipëri, që u zhvillua disa ditë pasi u bënë dy vjet prej se Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës.

Gjatë ditës, ai zhvilloi një takim me kryeministrin Rama, me të cilin nënshkroi një Traktat të miqësisë dhe bashkëpunimit mes dy shteteve.

“Traktati i shërben konsolidimit të miqësinë mes dy vendeve dhe popujve, përmes zgjerimit dhe forcimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme me interes të ndërsjellë”, u tha në një njoftim nga Qeveria shqiptare.

Në delegacionin e Ukrainës ishte edhe ministri i Jashtëm i vendit, Dmytro Kuleba. Pas një takimi me homologun e tij shqiptar, Igli Hasani, kryediplomati ukrainas tha se samiti në Tiranë “dërgon një mesazh të qartë se mbetemi të bashkuar”, duke falënderuar Shqipërinë për ndihmën e dhënë në kohën kur shteti i tij po përballet me pushtimin rus.

Ndërkaq, kryediplomati shqiptar, Igli Hasani, njoftoi se autoritetet janë në fazën e përgatitjeve për hapjen e Ambasadës shqiptar në Kiev, duke theksuar se shpreson që inaugurimi të ndodhë “në muajt e ardhshëm”.

Të dyja shtetet kanë vendosur raporte diplomatike më 1993, dhe Shqipëria që kur Rusia nisi luftën, ka ofruar mbështetje për Ukrainën dhe ka vendosur sanksione ndaj Moskës.

Për shkak të Samitit për Ukrainën, autoritetet shqiptare shtuan masat e sigurisë në Tiranë.

Pas Samitit për Ukrainën, Tirana më 29 shkurt do të jetë nikoqire e samitit rajonal për planin e rritjes dhe integrimin më të shpejtë në BE.

rel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>