Zgjedhjet lokale të 22 tetorit në Kosovë kanë krijuar një hartë të re politike, nëse merren parasysh fitoret e kandidatëve për kryetarë në secilën komunë veç e veç, krahasuar më zgjedhjet lokale të 3 nëntorit të vitit 2013.
Partitë e mëdha që kanë qeverisur vitet e fundit në Kosovë, në të dyja nivelet e pushtetit, janë vënë në sfidë serioze.
Edhe pse në shumicën e komunave do të ketë balotazh, analistët pohojnë se në Kosovë u ndëshkuan keqqeverisjet me anë të votave të qytetarëve, kurse harta e partive politike që do të qeverisin nëpër komunat e Kosovës, mund të dihet me saktësi pas balotazhit.
Në bazë të rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të publikuara në faqen zyrtare, nga 38 komunat e Kosovës, në 19 prej tyre, sidomos në komunat e mëdha, do të shkohet në balotazh.
Analisti Armend Muja tha për Radion Evropa e Lirë se nëse krahason zgjedhjet lokale të vitit 2017 më ato të vitit 2013, mund të thuhet se fituese del Lëvizja Vetëvendosje, për faktin se e ka dyfishuar përkrahjen në të gjitha komunat e Kosovës.
Kurse partitë tjera politike, kanë shënuar rënie, me përjashtim të Partisë Demokratike të Kosovës në Komunën e Prizrenit, që ka shënuar një sukses të radhës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës e cila ka ruajtur udhëheqjen në pesë ose gjashtë komuna.
“Në perspektiven e dytë, nëse shihet në aspektin numerik, unë besoj se fitues i përgjithshëm është Lidhja Demokratike e Kosovës, për dy arsye. Arsyeja e parë është se në njëfarë mënyre, votuesi kosovarë e ka shpërblyer atë pas një performace shumë të dobët në nivelin qendror dhe arsyeja e dytë është që ato fitore në komunat që i ka mbajtur, i ka fituar përgjithësisht”, tha Muja.
Kurse analisti tjetër për çështje politike, Imer Mushkolaj, konsideron sezgjedhjet e 22 tetorit nuk kanë sjellë as fitues dhe as humbës.
Disa parti politike, thotë ai, nga zgjedhjet lokale të vitit 2013 kanë rritur numrin e votueseve, kurse të tjerat kanë humbur.
Por, ajo që vërehet dhe ka rëndësi sa u përket këtyre zgjedhjeve, thotë Mushkolaj, qytetarët dëshmuan se kërkojnë ndryshime dhe qeverisje e menaxhim më të mirë.
“Në këto zgjedhje nuk është situata bardh e zi. Nuk mund të flasim për humbës dhe fitues absolut. Gjithmonë duke pasur parasysh krahasimin me rezultatet e zgjedhjeve lokale të vitit 2013”.
“Por, në qytete të caktuara disa nga partitë kanë arritur më shumë sukses, disa tjera më pak. Nëse e shohim hartën e rezultateve preliminare, mund të themi se të gjitha partitë politike janë në lojë në gjithë Kosovën”, tha Mushkolaj për Radion Evropa e Lirë.
Sipas rezultateve preliminare, 19 komuna, konkretisht komunat më të mëdha, do të shkojnë në balotazh për zgjedhjen e kryetarëve të komunave.
Kurse nga 19 komunat tjera, ku fituesit kanë dalë pa balotazh, Lidhja Demokratike e Kosovës ka fituar në 4 komuna, kurse në 12 tjera ka mbetur në balotazh. Në vitin 2013, LDK në raundin e parëkishte fituar tri komuna.
Partia Demokratike e Kosovës, pa balotazh ka fituar vetëm një komunë duke humbur edhe disa komuna që njiheshin si bastione të saj. Ndërkaq në balotazh është në 9 komuna. Në zgjedhjet e kaluara lokale, PDK kishte fituar në rrethin e parë në katër komuna.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në nivel vendi ka arritur të fitojë në 2 komuna, kurse në 5 shkon në balotazh. Më 2013, i kishte 3 komuna nën udhëheqje.
Lëvizja Vetëvendosje deri më tani nuk ka rritur të fitojë në rrethin e parë në asnjë komunë, por në balotazh është në 6 komuna duke përfshirë kryeqytetin Prishtinën, dhe disa qytetet të mëdha si Gjilani dhe në Prizreni.
Aleanca Kosova e Re, NISMA dhe Alternativa janë në balotazh në nga një komunë.
Kurse Lista Serbe ka fituar 9 komuna, kurse në balotazh është në një komunë. (rel)