Zgjedhjet ndërmjet ‘inateve të vjetra politike’ dhe ngarendjes pas koalicioneve

zgjedhjet kosoveNjohës të rrethanave politike në vend thonë se partitë politike pothuaj nuk kanë ndryshuar që prej themelimit të tyre dhe interesi parësor i tyre, thonë ata, ‘është përfitimi për veten’.

Ata thonë se mos reformimi i brendshëm i partive politike nuk do të lejojë edhe ndryshimet në shoqëri dhe rrjedhimisht, siç thonë, ‘zgjedhjet e parakohshme nuk do të mundësojnë ndryshime thelbësore’.

Kosova hyn në një cikël të ri zgjedhor më 11 qershor, pas rënies së qeverisë Mustafa javën e kaluar, përmes një mocioni mosbesimi të nxitur nga partitë në opozitë dhe të votuar edhe nga partneri në koalicion, PDK.

Analisti politik Imer Mushkolaj thotë se partitë politike luajnë një rol qenësor në zhvillimin e demokracisë dhe janë një urë lidhëse në mes shtetit dhe shoqërisë.

Ai thotë se përvoja ka treguar se partitë pothuajse më shumë ekzistojnë për të përfituar sesa për të punuar për të mirën e përgjithshme.

Fatkeqësisht ndryshimet e partive politike janë kryesisht kozmetike, edhe sa i takon programit edhe sa i përket mënyrës së organizimit edhe sa i takon qasjes. Unë nuk shoh ndonjë ndryshim substancial në përgjithësi tek partitë politike ekzistuese në Kosovë“, tha Mushkolaj për Radion Evropa e Lirë.

Për Albert Krasniqin, analist në Institutin Demokratik të Kosovës, partitë politike me vitet të tëra nuk i janë nënshtruar reformimit të brendshëm. Sipas tij, si pasojë e mosndryshimit të partive politike, nuk mund të priten as ndryshime të tjera substanciale në të mirë të vendit.

Koha e tanishme, nga partitë politike do të konsumohet në fushata zgjedhore dhe jo në një ndryshim më të madh dhe radikal nga brendia e subjekteve politike. Kështu që pothuajse është e pamundur të presim një ndryshim substancial nga këto zgjedhje nga ajo që jemi mësuar të shohim dhe çka na është ofruar nga këto parti politike në të kaluarën“, tha Krasniqi.

Mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë së Kosovës u nxit pas një periudhe të kundërshtimeve të partive në opozitë ndaj një procesi të demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.

Rënia e Qeverisë, ndërkaq ka bllokuar një numër procesesh të tjera, përfshirë edhe dialogun me Serbinë, që u pezullua me Rezolutë të Kuvendit deri në lirimin e Ramush Haradinajt, që mbahej në Francë mbi bazën e një urdhër-arresti ndërkombëtar të Serbisë, dhe gjithashtu edhe themelimin e një Asociacioni të Komunave me Shumicë Serbe, që nxiti njëkohësisht kundërshtimet e opozitës.

Në vitin 2014, Kosova u përball me një krizë të thellë politike pas bllokadës gjashtë muajore, kur partitë në opozitë bën një koalicion të gjerë duke e kundërshtuar PDK-në.

Analistët politikë ndërkaq thonë se pas zgjedhjeve vendi mund të përballet me krizë për formimin e Qeverisë së re, marrë parasysh, sipas tyre, ‘inatet politike dhe kundërshtimet e vjetra’.

Analisti Mushkolaj thotë se duke pasur parasysh mënyrën se si funksiojnë partitë politike, probleme do të ketë.

Unë pres që do të ketë probleme. Mbase jo aso problemesh që do të zgjasin shumë, por probleme në aspektin e krijimit të koalicionit të ri qeveritar. Këto probleme do të mund të evitohen nëse partitë politike do të organizoheshin më mirë, në kuptimin e koalicioneve parazgjedhore”, u shpreh Mushkolaj.

Ndërsa, Albert Krasniqi thotë se pas përvojave të kaluara të partive politike, ku ato dhe vendi u ballafaquan me probleme të mëdha për formimin e Qeverisë, tani ‘ato e dinë se si do të veprojnë’, thotë ai, dhe nuk do të lejojnë që të humben muaj të tërë për formimin e koalicioneve dhe Qeverisë së re.

Nuk e besoj se do të mund të na përsëritet një skenar i zgjedhjeve të kaluara. Tani po shohim që edhe partitë janë mobilizuar në krijimin e koalicioneve parazgjedhore për shkak se kanë qëllim që të dalin të parat në zgjedhje në mënyrë që të kenë pozitën e kryeparlamentarit të siguruar, dhe mandej ta krijojnë këtë shumicë për ta formuar edhe Qeverinë. Pikërisht këtu tani po i shohim të gjitha energjitë për krijimin e koalicionit dhe shumë më pak në artikulimin e kërkesave dhe ofertave të tyre në drejtim të qytetareve“, tha Krasniqi.

Kosova që prej shpalljes së pavarësisë së saj, nuk ka pasur një Qeveri të qëndrueshme që ka kryer mandatin kushtetues prej katër vjetësh, meqë pothuaj secila prej tyre është detyruar të dorëhiqet pas votimeve të mosbesimit në Kuvend. (REL)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>