Zhbllokohen rrugët në veriun e Kosovës – rihapen vendkalimet kufitare me Serbinë

zhbllokimiAutoritetet në Kosovë thanë se të gjitha të gjitha pengesat që ishin vendosur një ditë më parë nga grupe protestuesish serbë në veriun e vendit janë larguar dhe kësisoj janë hapur edhe vendkalimet kufitare me Serbinë në Jarinjë dhe Bërnjak.

 

Grupe qytetarësh serbë të mbështetur nga Beogradi u hodhën në protesta të dielën kundër vendimeve të qeverisë së Kosovës për masat e reciprocitetit me Serbinë, lidhur me dokumentet e identifikimit dhe përdorimin e targave të lëshuara nga autoritetet serbe.

Qeveria e Kosovës vendosi pak para mesnatës së të dielës që të shtyjë për një muaj zbatimin e vendimeve, pas këshillimit me ambasadorin amerikan Jeff Hovenier i cili kërkoi një shtyrje 30 ditëshe. Kjo kërkesë u bë edhe nga zyrtarët e Bashkimit Evropian.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha në orët e mbrëmjes të së hënës se “me largimin e barrikadave dhe sigurimin e lirisë së lëvizjes, Qeveria e Kosovës zhvendos zbatimin e vendimeve për datën 1 shtator 2022”.

Sipas vendimeve që qeveria i shtyu, të gjithë shtetasit e Serbisë që do të hyjnë në Kosovë do të pajisen me një dokument të përkohshëm që do të zëvendësojë dokumentet e identifikimit personal. Sipas vendimit të qeverisë të datës 29 qershor, të gjithë qytetarët e Kosovës që kanë makina me targa të lëshuara nga Serbia, duhet t’i regjistrojnë ato me targat e Kosovës RKS.

Vendimet nxitën reagimin e zemëruar të Beogradit, i cili akuzon Prishtinën se kësisoj po përpiqet të dëbojë serbët e Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u bëri thirrje ndërkaq “kryeqendrave perëndimore, Bashkimit Evropian dhe NATO-s që të dënojnë dhunën dhe agresionin e bandave kriminale në veri të Kosovës të cilët janë qartazi të nxitura, të përgatitura e financuara nga Beogradi”.

Policia tha se të paktën 11 qytetarë shqiptarë janë sulmuar nga grupet e protestuesve serbë dhe ka pasur të shtëna në drejtim të policisë, por nuk pati të plagosur.

Forcat paqeruajtëse të drejtuara nga NATO-ja thanë sot se po vëzhgojnë nga afër situatën në veri të Kosovës me organizatat vendore dhe ndërkombëtare të sigurisë. KFOR-i tha se “mbetet fuqishëm i përkushtuar ndaj sigurisë, i gatshëm të zbatojë masat e nevojshme për ta mbajtur Kosovën të sigurt”.

Bashkimi Evropian tha se çështjet e hapura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të trajtohen nëpërmjet bisedimeve të lehtësuara prej tij dhe duke u përqendruar në normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve ndërmjet tyre që janë thelbësore për rrugën drejt integrimeve evropiane.

“Bashkimi Evropian ka ftuar të dyja palët që të takohen në Bruksel për të diskutuar mënyrën dhe për të gjetur zgjidhje që të parandalohen sërish tensione të tilla”, tha zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, duke nënvizuar se çdo veprim pa bashkërendim dhe i njëanshëm që kërcënon qëndrueshmërinë dhe rrezikon lirinë e lëvizjes, duhet të ndërpritet.

Zëdhënësi i Kombeve të Bashkuara Stephane Dujarric, tha të hënën se organizata po ndjek nga afër zhvillimet në Kosovë dhe “mirëpresim shtyrjen e zbatimit të vendimeve që kanë çuar në ngritjen e tensioneve në terren”, ndërsa ritheksoi thirrjet që “palët që t’i trajtojnë çështjet në mirëbesim përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja, për të forcuar qëndrueshmërinë dhe sigurinë për të gjithë”.

Veriu i Kosovës vazhdon të mbetet një nga zonat më pak të kontrolluara të vendit. Kosova shpalli pavarësinë e saj në shkurt të vitit 2008 me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian. Por, ajo kundërshtohet nga Serbia e mbështetur nga Moska e cila të dielën akuzoi autoritetet e Kosovës për “veprime diskriminuese”.

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>