Ministria e Shëndetësisë njoftoi se janë regjistruar 33 raste të reja të personave të infektuar me covid-19 nga 332 testet e realizuara, që paraqet numrin më të lartë që nga 25 prilli kur kishte 41 raste.
11 të infektuar janë regjistruar në Shkup, 9 në Veles, 5 në Prilep, 2 në Kumanovë, 2 në Tetovë dhe nga 1 në Shtip dhe Kriva Pallankë.
“Nuk mund ende të themi se cilat mund të jenë shkaqet për një rritje të tillë. Mund të jetë për shkak të lehtësimit të masave të lëvizjes në dy javët e fundit, sikur edhe në vendet tjera ku gjithashtu ka pasur një rritje të lehtë. Por sidoqoftë, ne në dy ditët e ardhshëm do të shohim se si çfarë shifrash do të kemi që të dalim me ndonjë vlerësim më të qartë”, ka deklaruar Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.
Ai ka bërë thirrje për respektimin e plotë të masave, mbajtjen e maskave si dhe ruajtjen e distancës fizike, si dy nga kriteret kryesore për parandalimin e përhapjes së virusin ndërsa ka njoftuar se të premten dhe të shtunën do të vendoset për masat tjera.
Ndërkohë, sa i përket të shëruarve gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 22 persona që kanë fituar betejën me COVID-19, numri më i madh i tyre është në Kumanovë dhe Prilep.
Gjithashtu, është regjistruar edhe një viktimë. Një burrë i moshës 70 vjeçe nga qyteti i Velesit ka ndërruar jetë rrugë për në qendrën infektive në Shkup.
Prej rastit të parë me covid-19 prej datës 26.02.2020 pasqyra e përgjithshme në lidhje me COVID-19 është siç vijon: janë bërë 18,168 teste (që nuk nënkupton se janë testuar 18.168 persona). janë konstatuar 1572 të infektuar, prej tyre 1079 janë shëruar, 89 persona kanë vdekur dhe 404 janë aktiv me covid-19.