Diaspora e Maqedonisë që përbëhet nga shumica e shqiptarëve po vazhdon të mbush buxhetin e vendit.Dërgesat apo të njohura si remitencat nga diaspora vitin e kaluar kanë shënuar rënie në krahasim me vitet e kaluara.
Sipas të dhënave të Bankës Botërore, diaspora vitin e kaluar në Maqedoni ka dërguar 380 milionë dollarë, që paraqet 3.7 për qind të Bruto Prodhimit Vendor.
Por jozyrtarisht mësohet për shuma më të larta, për shkak se pjesa më e madhe e parave dërgohen përmes rrugëve jozyrtare, apo kryesisht ato sillen në mënyrë direkte nga mërgimtarët në familjet e tyre, apo ata kryejnë investimet e tyre familjare në prona dhe shtëpi, apo edhe harxhime tjera.
Eksperti për çështje ekonomike Visar Ademi kohë më parë ka deklaruar se buxheti i Maqedonisë varet shumë nga parat që i sjellin emigrantët tonë.
“Me paratë që ato sjellin në Maqedoni, harxhimet që ata i zhvillojnë këtu dhe investimet e tyre në patundshmëri (shtëpi dhe tokë) kontribojnë në zhvillimin ekonomik të këtij vendi. Nuk është sekret nëse thuhet se mërgimtarët shqiptarë kontribojnë dikur rreth 50% të mbushjes së arkës dhe buxhetit të Maqedonisë. Edhe pse mërgimtarët kontribojnë në zhvillimin ekonomik të Maqedonisë, paratë e tyre qarkullojnë nëpër projekte afatshkurtra dhe investimet në projektet afatgjate janë pothuajse zero”, ka deklaruar Ademi.
Vlerësim të ngjashëm ka edhe profesori Abdylmenaf Bexheti i cili ka theksuar se remitencat nga diaspora shkojnë në 1 miliardë euro dhe se ato mbajnë gjallë ekonominë e vendit.
Profesori Bexheti prej disa vitesh me shifra konkrete ka dëshmuar se janë pikërisht emigrantët shqiptarë ata që e shpëtojnë Maqedoninë nga falimentimi, duke sjellë mbi 1 miliard euro për çdo vit.
Sipas ekspertëve, me këto mjete sigurohet një qetësi sociale, pasi që mbulohet një pjesë e madhe e konsumit nga familjet vendore.
Nga ana tjetër, viteve të fundit janë ndaluar gati totalisht investimet nga diaspora për shkak të klimës së papërshtatshme për hapjen e një biznesi të ri në vend dhe krizave dhe problemeve të vazhdueshme politike dhe ndëretnike. (INA)