Protestuesit e tubuar para prokurorisë, të udhëhequr nga kryetari i ‘Dinjitet’-it Stojançe Angellov, kërkuan nga prokurori publik Marko Zvërlevski të tregojë se me çfarë baze i ka ndaluar RTVM-së që të publikojë ‘bombat’ e opozitës, në të cilat janë përfshirë bisedat e funksionarëve të lartë shtetërorë dhe vet kryeministrit Gruevski. Protestuesit insistojnë në dorëheqjen e kryeprokurorit Marko Zvërlevski. “Kërkojmë që të na njoftojnë në bazë të çfarë vendimi të tyre kanë dërguar kumtesë nëpër media, me çka në mënyrë jo formale i ndalojnë RTVM-së që të publikojë materiale të plasuar nga opozita. E rikujtojmë prokurorin se në RTVM2, çdo ditë mund të dëgjohet incizime të publikuara nga opozita. Si mundet që në medium të njëjtë, në programin e dytë të publikohen kurse në të parin jo. A është dallimi aty se në servisin e dytë e kontrollon BDI-ja, ndërsa të parin VMRO-DPMNE-ja? Nëse nuk dorëhiqet Zvrlevski, unë vetë do ta largojë me përkrahjen e këtyre qytetarëve”, u shpreh Stojançe Angellov, kreu i “Dinjitetit”.
Angellov tha se derisa prokuroria nuk shfuqizon ndalesën, ai me bashkëpunëtorë do të protestojë para RTVM-së çdo ditë me fillim në ora 19:00. Ferikan Iljazi