Bexheti: Ligji për arsim të lartë është bërë një çamçakëz i vërtetë

Cilësia e arsimit të lartë në Maqedoni është katastrofale dhe reformat janë të domosdoshme. Ky ishte konkluzioni i mysafirëve mbrëmë në emisionin “Rruga Drejtë”. Pas miratimit të ligjit për provim shtetëror, Abdylmenaf Bexheti nuk pret indikacione në ngritjen e cilësisë. Bexheti theksoi se zhvillimet e fundit ishin një betejë, duke shtuar se ligji për arsim të lartë tashmë është bërë një çamçakëz i vërtetë.“Rekord, ky ligj ka ndryshime dhe nëse e marrim si të tillë është një betejë episodiale, e parë shumë herë deri sot. Nga viti 2008 deri sot kemi 15 ndryshime dhe plotësime në ligjin për arsim të lartë. Ligji si i tillë është bërë në njëfarë mënyrë si çamçakëz, i cili do të jetë shumë vështirë nga kapaciteti i tillë të zbatohet”, deklaroi Abdylmenaf Bexheti, Plenumi i Profesorëve.

Edhe pse me miratimin e ligjit cenohet rëndë autonomia e universiteteve, për ministrin e Arsimit Abdilaqim Ademi, nuk është ashtu! Sipas tij, parimi bazë ka qenë mos cenimi i autonomisë.

“Parimi i parë ka qenë që të mos cenohet autonomia e universiteteve, parimi i dytë ka qenë që të mos cenohet procesi i Bolonjës, të mos jetë ngarkesë universitetet, profesorët dhe studentët, të mos ketë efekt retroaktiv dhe të mos vlejë për studentët aktual. E di për cilët student mund të jetë ngarkesë, për ata që nuk janë të rregullt, për ata që regjistrohen për të marrë një dokumentacion dhe për studentët që janë të interesuar për një diplomë”, deklaroi Abdilaqim Ademi, Ministër i Arsimit.

Profesorja Tanja Karakamisheva, e cvila përfaqëson Iniciativën qytetarë në mbështetje të ndryshimeve ligjore në arsim, thotë se faji është i vetë profesorëve. Sipas saj, nisma për reforma është dashur të fillojë nga profesorët dhe jo nga Qeveria. Karakamisheva arsyetoi Qeverinë dhe Ministrinë e Arsimit, duke thënë se kishte hapësirë për debat.

“Ai universitet që nuk ka përgjegjësi, nuk mund të kërkojë autonomi. Shigjetat e tyre i hedhin në atë drejtim që kishte pak kohë, se e gjithë dinamika e aktiviteteve është pre e politikave të ndryshme. Jo, në të kundërtën, unë jam dëshmitare se procesi i reformave kanë filluar nga viti 2008-2009. Mundet gazetarëve t’ju duket shpejtë, apo me dinamikë jo të përshtatshme”, u shpreh Tanja Karakamisheva, Iniciativa në mbështetje të reformave.

Bexheti shtoi se me këto reforma vetëm sa do të ulet cilësia e arsimit. Sipas tij, nuk mund të kërkohen kushte evropiane me fonde afrikane.

“Ju po bëni një akt për të ndërprerë autonominë e universitetit, me ndërhyrje në emër të mos përgjegjësisë në universitet. Autonomia është diçka që është ndërtuar ndër shekuj, pra flasim për 1000 vjet”, deklaroi Abdylmenaf Bexheti, Plenumi i Profesorëve.

Nga ana tjetër, Ademi pranoi se ata që ndikojnë në uljen e cilësisë së arsimit të lartë janë universitetet private. Njëkohësisht deri në shtator, ai paralajmëroi mbylljen e tyre.

“Nëse deri në shtatorin e vitit të ardhshëm, universitetet tek të cilët është konstatuar se kanë lëshime dhe nuk i plotësojnë kriteret, sigurisht se do të mbyllen. Duhet të kemi parasysh se në Maqedoni ka 20 universitete publike dhe private, dhe jo të gjithë janë të njëjtë. Disa nga universitetet janë shndërruar vetëm në shtypës te diplomave”, tha Abdilaqim Ademi, Ministër i Arsimit.

Ndërkaq, Tanja Karakamisheva theksoi se kolegët e saj nga Plenumi i Profesorëve, kanë keqpërdorur studentët për qëllime edhe idetë e tyre kundër politikës. Sipas saj, profesorët dhe studentët dallojnë në kategori.

“Në të vërtet nuk e kuptoj se si dëshirojnë përsëri ta bëjnë gabimin e njëjtë. Përsëri duan të lidhen me studentët dhe bashkërisht me ato ta shprehin revoltën, e cila nuk është e njëjtë. Studenti është student, ai është shfrytëzues i mundësive intelektuale, dhe nëse ka diçka që nuk është i kënaqur, ato mund t’i shpreh ashtu si atij ia merr mendja”, u shpreh Tanja Karakamisheva, Iniciativa për mbështetje të reformave.

Në debat kishte edhe konfrontime të cilat u manifestuan me kritika mes mysafirëve. Bexheti konsideroi se bashkëbiseduesit nuk ishin të përgatitur dhe për këtë arsye, i dhanë shumë penalti për t’i mposhtur argumentet e tyre, duke shtuar se në debat nuk u dit se cili ishte Ministri i Arsimit. Ndërsa Tanja Karakamisheva kaloi kufijtë e kulturës së debatit, në momentin kur parafolësi i saj tregoi për postet e saj nëpër borde udhëheqëse. Ndërsa Ministri i Arimit Abdilaqim Ademi, ashtu si e filloi, ashtu edhe e mbaroi debatin, me paralajmërime. Adrian Kerimi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>