Pas Komunës Qendër, LSDM-ja opozitare ka publikuar sot biseda telefonike që kanë të bëjnë me parregullsitë në proceset zgjedhore në Komunën e Strumicës. Sipas LSDM-së, edhe në Strumicë, sikurse në vendbanimet e tjera, janë dhënë letërnjoftime të shumëfishta për aktivistët e VMRO-së, për të votuar disa herë në më tepër vendvotime. Deputeti i LSDM-së nga Strumica, Pançe Orcev publikoi një bisedë telefonike që sipas tyre dëshmon se në shpërndarjen e letërnjoftime ka qenë i përfshirë edhe kryeshefi i Sektorit Policor të Strumicës, Marjan Nakovski.Në një prej bisedave të publikuara sot, deputetja e VMRO DPMNE-së Silvana Boneva i paralajmëron kryeministrin Gruevski se bashkëpartiaku i tyre Sllave Goshev ka reketuar thuajse gjithë bizneset në Strumicë, që sipas saj ka irrituar qytetarët e kësaj komune.
Në kuadër të “bombës” së sotme u publikuan sërish edhe disa prej bisedave të ministres së brendshme Gordana Jankullovska, e cila kërkon që të mos firmosen proces-verbalet në disa vendvotime, me qëllim që të përsëritet votime dhe, siç thotë Jankullovska, ti nxjerrin për veshi romët të votojnë për VMRO-në. Jankullovska gjithashtu pranon se një anëtarë i VMRO-së ka shtënë me armë zjarri ditën e votimeve, ndërsa MPB-ja ka raportuar rrejshëm se bëhet fjalë për armë gazi. Në një nga bisedat mes kryeministrit Gruevski dhe gazetarit Dragan Pavlloviq Llatas, Gruevski thotë se me ndihmën e PDSH-së në Komisionin Shtetëror Zgjedhor, do ti përsërisin zgjedhjet në Strumicë.
LSDM-ja ka publikuar sërish bisedat mes Mijallkovit dhe kreut të PDSH-së Menduh Thaçi, dhe të Thaçit me anëtarin e KSHZ-së Bedredin Ibrahimi, ku merren vesh që të anulojnë zgjedhjet në Strumicë. Benjamin Arifi