‘Bomba” e 7-të e opozitës flet për parregullsitë zgjedhore

Bisedat telefonike të prezantuara sot në bombën e 7-të të LSDM-së, sipas liderit opozitar Zoran Zaev dëshmojnë vjedhjet dhe falsifikimet drastike të proceseve zgjedhore viteve të fundit. Presione ndaj administratorëve, familjeve sociale, pensionistëve, shfrytëzuesve të subvencioneve, blerje të votive, votime të shumëfishta të personave të njëjtë me disa letërnjoftime, importimin e votuesve të Pustecit, vjedhjen e materialit zgjedhor, keqpërdorimin e institucioneve shtetërore për përfitime zgjedhore dhe madje edhe kërcënime me jetë, janë vetëm disa nga parregullsitë që dëshmohen me telefonatat e publikuara sot nga opozita.

‘Sot fillojmë ti zbardhim vjedhjet në zgjedhje që i bën Nikolla Gruevski me disa bashkëpunëtor të tij. Nga dëshmitë e qarta dhe skandaloze do të dëgjoni si ky grup në pushtet, i rregullon dhe vjedh zgjedhjet në Maqedoni. Nga sot të nderuar qytetarë fillojmë me prezantimin e keqpërdorimet e Gruevskit dhe grupit të ngushtë rreth tij, gjatë proceseve zgjedhore dhe vjedhjeve zgjedhore në disa cikle në Maqedoni, që nuk mbahen mend në rang botëror’, tha Zoran Zaev – Kryetar i LSDM-së.

Në pjesën e parë të bisedave të publikuara, Ministrja e Brendshme Gordana Jankulloska gjatë bisedës me sekretarin e përgjithshëm të Qeverisë Kiril Bozhinovski pranon se kanë regjistruar nga 50 persona në adresa fiktive banesash 40 metra katrorësh, ndërsa Mile Janakievski thotë se kanë sjellë njerëz nga Sveti Nikolla në Gazi Babë, për të votuar në më tepër vendvotime. Kryeministri Gruevski dhe Ministri Mile Janakievski koordinojnë rrjedhën e procesit zgjedhor në Komunën Qendër, ndërsa Jankulloska dhe Martin Protugjer komentojnë votimin masiv të Pustecasve në këtë komunë.

Në një prej bisedave të publikuara, Mile Janakievski dhe drejtori për të hyra publike Goran Trajkovski merren vesh cilave biznese tu dërgojnë inspektime dhe dënime. Në bisedë me një tjetër bashkëpunëtor, Janakievski kërkon që mes transportuesve të shpërndahen spekulime se nëse zgjedhjet i fiton LSDM-ja, ministri i transportit do të jetë shqiptar.

Sipas liderit të LSDM-së Zoran Zaev, VMRO DPMNE-ja ka keqpërdorur edhe subvencionet për përfitimin e votave. Janë keqpërdorur edhe institucionet e shtetit dhe inspektorët financiarë.

Ministrja e Brendshme Gordana Jankulloska, sipas telefonatave të publikuara, ka koordinuar edhe ndarjen e ndihmave sociale për familjet në nevojë, në këmbim të votave për VMRO DPMNE-në. Ajo kërkon që disa qytetarëve të komunitetit rom në Kumanovë, për të cilët nuk është e sigurt se do të votojnë partinë e saj, tu merren letërnjoftimet dhe të mos lejohen të votojnë. Mile Janakievski nga ana tjetër merret vesh që të dërgojë thasë me miell për disa romë që kanë votuar VMRO DPMNE-në.

Për përfitime partiake janë shfrytëzuar edhe kompanitë publike dhe shkollat në Qytetin e Shkupit. Mile Janakievski dhe kryetarja e Këshillit të Qytetit Irena Misheva koordinojnë presionet ndaj punonjësve në ndërmarrjet publike dhe mësuesve në shkollat e kryeqytetit.

Në fushatën parazgjedhore janë përdorur edhe mediat. Vetë pronari i televizionit Kanal 5 Emil Stojmenov, e njofton shefin e kabinetit të kryeministrit Gruevski, Martin Protugjer, se duhet të pengojë transmetimin e një emisioni të papërshtatshëm në televizionin e tij. Stojmenov propozon që të ndërpresë rrymën në televizion në kohën e transmetimit, ndërsa Protugjer e porosit që ta transmetojë emisionin me probleme teknike të zërit.

Në zgjedhjet e fundit lokale, Mile Janakievski ka qenë angazhuar për Komunën Qendër. Sipas telefonatave të prezantuara, ai merret vesh me bashkëpunëtorët e tij për vjedhjen e listave zgjedhore, me qëllim që të kenë emrat e qytetarëve që kanë dalë në zgjedhje dhe atyre që nuk kanë dalë, për të ndikuar në rrethin e dytë të zgjedhjeve. Janakievski merr instruksione nga kryeministri Gruevski që të shpallen sa më shumë vota të pavlefshme në Komunën Qendër, me qëllim që Zhernovski të mos e sigurojë fitoren që në rrethin e parë. Gordana Jankulloska nga ana tjetër, në bisedë me Mile Janakievskin kërkon që në rrethin e dytë të zgjedhjeve në Kumanovë ti kapin shqiptarët për fyti, dhe të mos i lejojnë të votojnë për kandidatin e LSDM-së.

Jankulloska pranon se në ditën e zgjedhjeve, zyra e saj në Ministri është shndërruar në shtab të VMRO –së, ndërsa Ministrinë e Brendshme e emëron si MVR VMRO. Jankulloska kërkon që të anulohen zgjedhjet në disa vendvotime në Strumicë dhe Qendër, ndërsa thotë se në rrethin e dytë do ti nxjerrin për veshi romët të votojnë për ta. Në një bisedë telefonike, ajo e njofton Janakievskin se edhe BDI-ja, sikurse ata, i ndalojnë autobusët e partive opozitare të marrin pjesë në mitingje partiake. Nga ana tjetër, në njërën nga telefonatat e prezantuara sot dëgjohet se në prag të zgjedhjeve ka pasur edhe kërcënime ndaj familjes së kreut të Federatës së Futbollit. Shefi i kabinetit të Gruevskit, Martin Protugjer, kërcënon kreun e Federatës se do ta gjejë familjen dhe fëmijët në hendek, nëse nuk i bindet urdhrave të tyre.

Gazetarët edhe sot u interesuan për rastin Monstra, duke e pyetur liderin opozitarë nëse ka telefonata që dëshmojnë parregullsi në këtë proces. Ai paralajmëroi se njëra nga konferencat e ardhshme për shtyp do të jetë pikërisht për këtë rast.

Zaev paralajmëroi se pjesën tjetër të dëshmive edhe më të forta për vjedhjen e zgjedhjeve do ta publikojë të martën në sallën universale, në prani të një numri më të madh të qytetarëve. Benjamin Arifi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>