Edhe këtë vit Maqedonia mund të mos e ri-aktivizojë Dialogut të Nivelit të Lartë me Bashkimin Evropian, i pezulluar që në vitin 2013. Zv/kryeministri për çështje evropiane Fatmir Besimi, në një takim me gazetarë, tha se vendimi për ri-aktivizim të mundshëm, pritet të sillet nga komisioneri evropian për zgjerim Johanes Han, në vizitën e parë të tij në Shkup, në muajin shkurt. Besimi tha se qeveria po bën përpjekje për rikthimin e dialogut me opozitën, që përbën edhe kushtin kryesor të Brukselit për zhbllokimin e Dialogut të Nivelit të Lartë, por pa dhënë detaje mbi formatin dhe rezultatet e mundshme nga këto bisedime. Besimi pranoi se ngërçi politik po dëmton imazhin e vendit përpara syve të Brukselit por edhe procesin integrues në përgjithësi. Fusha të tjera që rëndojnë mbi dialogun e Nivelit të Lartë janë edhe mos përmbushja e kushteve për 35 të lirë, administratë të pa-politizuar dhe gjyqësor të pavarur. Në këtë kuadër, ndër skenarët e mundshëm për vitin 2015, numri ‘një’ i integrimeve nuk përjashtoi as humbjen e rekomandimit për fillimin e bisedimeve. Nga ana tjetër Besimi nuk deshi të komentonte as pritjet nga qeveria e re greke në kuadër të zgjidhjes së emrit, duke theksuar se është ende herët për të bërë vlerësime të tilla, megjithëse theksoi se Shkupi duhet të mbetet i hapur dhe proaktiv në procesin e emrit. Semra Jakupi