Greqia masa besimi kundër ‘Irredentizmit’

‘Masat për ndërtimin e besimit’ mes Shkupit dhe Athinës, që u shpalosën në tavolinën e bisedimeve të ministrave të Jashtëm Poposki dhe Kotzias në Riga, janë iniciativë e Berlinit. Kështu pretendon e përditshmja greke ‘Kathimerini’.Sipas gazetës greke, ideja e cila u ngrit nga Ministri i Jashtëm grek Nikos Kotzias para dy ditësh, si masë për të luftuar irredentizmin maqedonas është diskutuar prej kohësh, ndërkohë që prapa saj qëndron Berlini zyrtar. Pala greke ka pranuar tashmë këtë iniciativë dhe do të formojë një Komitet në nivel të lartë. “Kathimerini” gjithashtu thekson që edhe Shkupi i është përgjigjur pozitivisht nismës.

Nga Ministria e Jashtme ndërkaq topin ia hedhin Greqisë, duke theksuar se pikërisht ajo ka mbetur peng i figurave mitologjike dhe të kaluarës. Megjithatë, në një deklaratë për Alsat, Ministria e Jashtme thekson se Shkupi mirëpret iniciativën e tillë, por vetëm nëse kjo masë për ndërtimin e besimit, nuk shndërrohet në mjet për ‘blerje kohe’ nga Greqia për të mos zgjidhur emrin.

“Për ne nuk është problem të ndërmarrim masa për ndërtimin e besimit. Ne para 2 vitesh propozuam organizmin e seancave të përbashkëta me të gjitha fqinjët. Kjo nënkupton ndërtim të masave të besimit me Greqinë përmes shkëmbimit të diplomatëve, hapjes së kalimeve të reja kufitare, bashkëpunimit në mes të punonjësve të kulturës, historianëve. Ne jemi të gatshëm ta thellojmë bashkëpunim. Por, kjo të mos shndërrohet në mënyrë për ‘blerje kohe’, bllokim dhe mos zgjidhje të kontesteve”, theksojnë nga Ministria e Jashtme e Maqedonisë.

Nga ana tjetër, pas takimit të parë me kolegun e tij maqedonas, në margjinat e Konferencës së Rigës, Ministri i jashtëm grek Nikos Kotzias theksoi se për të luftuar politikat irredentiste maqedonase Greqia është e gatshme të ndihmojë në përpilimin e masave për ndërtimin e besimit, si në hap i vullnetit të mirë të palës greke. Semra Jakupi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>