Greva në arsim, vazhdon të mbahet në të gjitha shkollat

Greva e mësuesve ka vazhduar edhe sot pothuajse në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme në Shkup. Nënkryetari i Sindikatës së Arsimit, Shkencës dhe Kulturës Ilirjan Çavolli thotë se presionet e autoriteteve për të penguar grevën, janë të mëdha. Ai tha se shkolla fillore ku ai jep mësim, numëron 72 anëtarë të sindikatës prej gjithsej 100 mësuesve, të cilët pa dëshirën e tyre, po mbajnë orët e mësimit. Çavolli tha se dëshmi për presionet e mëdha në këtë shkollë ishte edhe prania e këshilltarit të Ministrisë së Arsimit Safet Neziri, i cili bashkë me Inspektorin e Arsimit të Komunës së Gazi Babës i kanë dhënë instruksione drejtorit se çfarë presione të ushtrojë.

“Mos-kënaqësia vjen pas sjelljes që më befasoi se vetë Safet Neziri, është ish nxënësi im, edhe drejtori është ish nxënësi im d.m.th unë kam harxhuar energji, me respekt ndaj të dyve. I ka mbyllur lokalet ndihmëse me çelës që mos të na lejojë neve asnjë kafe të pimë, por kur e pash se edhe tualeti ishte i mbyllur me çelës, është Non-Sense, nuk kuptoj! Kujtoj se mbreti Hirohito i Japonisë hapur kishte thënë se të gjithë mua më përkulen, por nuk lejojë mësuesi të përkulet pasi ai më ka sjellë mua ku jam tani”, u shpreh Ilirjan Çavolli, nënkryetar i SASHK-ut.

Ndërkaq, në një pjesë të shkollave, Ministria e Arsimit ka nisur tashmë zëvendësues të mësuesve që prej dy ditësh janë në grevë. Një prej këtyre shkollave ku mësuesit po zëvendësohen, është edhe shkolla fillore ‘Hristijan Todorovski Karposh’. 3 mësues zëvendësues erdhën këtë mëngjes… Ndërkohë ALSAT-M sot vizitoi edhe disa shkolla të Komunës së Sarajit, të cilat dukeshin të ishin solidarizuar me grevën e SASHK-un.

“Kjo është e vërteta dhe nuk është ashtu siç u përhap lajmi dje, se nuk ka grevë në Saraj, por numri i mësuesve që janë në grevë flet për këtë, të gjithë janë këtu, edhe në turnin e pasdites vazhdon njëjtë dhe këtu ka grevë dhe greva është e përgjithshme. Diku 120 mësues jemi dhe të gjithë jemi në grevë, edhe në shkollat periferike por edhe në vetë shkollën qendrore”, tha Ramadan Sejfullahu, përfaqësues i Sindikatës SH.F ‘Dituria’.

Në Komunën e Haraçinës, të gjitha shkollat janë gjithashtu në grevë. Ata thonë se kërkesat e SASHK-ut janë legjitime dhe do t’i përkrahin deri në fund.

“Ne si kolektiv pranë kësaj shkolle e përkrahim grevën dhe qëndrojmë pas atyre kërkesave që ka parashtruar SASHK-u për t’i plotësuar MASH-i. Jemi përafërsisht 130 mësues dhe e përkrahim 100% grevën”, u shpreh Shqipe Buçi, përfaqësuese e Sindikatës SH.F ‘Gjergj Kastrioti Skënderbeu’.

“Janë 6 kërkesa, tërheqja e testimit ekstern e cila është e panevojshme të bëhet pasi suksesin nuk mundet Ministria ta caktojë përmes një testimi pyetjet e të cilit ishin totalisht të dështuara. Kolektivi yni është 100% në grevë, nuk ma merr mendja se ka dështuar kjo grevë, por ato janë vetëm manipulime që mund të organizojnë strukturat e ndryshme”, deklaroi Abaz Azemi, mësues.

Në kryeqytet, në shumë shkolla fillore dhe të mesme mund të vërehen korridore dhe klasa të zbrazura, si dhe parulla në të cilat shkruan “Grevë”. Mësuesit edhe sot u paraqitën nëpër vendet e tyre të punës, por orë mësimi nuk mbajtën. Një javë para nisjes së grevës së SASHK-ut, në një konferencë për shtyp dolën disa mësues kundër-grevistë, të cilët thanë se qëllimi i bojkotit është personal i kreut të Sindikatës, për të fituar një mandat të ri në krye të saj. Nga Sindikata thanë se ata janë njerëz të afërt të pushtetit. Valmir Kuçi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>