Gruevski: Zaevi bashkëpunëtor i shërbimeve sekrete

Kryeministri Nikolla Gruevski pretendon se aferat e paralajmëruara si bomba nga opozita, lideri i LSDM-së Zoran Zaev i ka siguruar në mënyrë të jashtëligjshme, në bashkëpunim me shërbime të huaja sekrete. Gruevski nuk precizoi se për agjencinë e cilit shtet bëhet fjalë, por tha se Zaevi i ka konfirmuar disa herë burimin e informatave, gjatë 4 takimeve mes 2 liderëve.
“Në këto takime z. Zoran Zaev kërkoi nga unë formimin urgjent të Qeverisë teknike, duke më informuar se në bashkëpunim me një shërbim të huaj inteligjent, ka siguruar biseda të xhiruar telefonike, thuajse nga i gjithë kreu shtetëror, duke filluar nga presidenti, parlamenti, qeveria, 35t dhe persona të tjerë politik dhe publik, nga pushteti dhe opozita… Ai më tregoi disa biseda telefonike, për të cilat konstatova se një pjesë janë të sakta, një pjesë gjysmë të sakta dhe një pjesë të pasakta. Megjithatë fakti se një pjesë e tyre ishin të sakta, dëshmonte seriozitetin e situatës”, deklaroi Nikolla Gruevski, kryeministër.

Përplasjen me Zaevin, kryeministri do ta vazhdojë në Gjykatë, ku do të deponojë dëshmitë e tij për përfshirjen e Zaevit në spiunazh dhe tentim për marrjen me dhunë të pushtetit.

“Do të përgjigjem të gjitha pyetjeve në procesin gjyqësor, i cili do të jetë publik dhe transparent për opinionin vendas dhe atë ndërkombëtar. Ju bëj thirrje të gjithëve të ndiqni rastin me vëmendje, ti njihni spekulimet dhe montimet. Prej sot do të dëgjoni çfarëdo lloj spekulimesh. E vërteta do të del në shesh. Për gjithçka ekzistojnë dëshmi të forta”, tha Nikolla Gruevski, kryeministër.

Ndërkohë, në një deklaratë me shkrim për Alsat M, Zaev thotë se skenari i sotëm i pushtetit është tentim për të parandaluar publikimin e aferave që ka në dorë. Ai ka përgënjeshtruar akuzat për shantazh dhe kërcënime ndaj kryeministrit.

‘Bëhet fjalë për tentim të pushtetit të pengojë zbardhjen e dëshmive dhe argumenteve’, shkruan Zaev për Alsat M.

Edhe pas padisë kundër tij, lideri i LSDM-së insiston se nuk do të heq dorë nga publikimi i skandaleve. Benjamin Arifi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>