Brukseli vazhdon të alarmojë seriozitetin e situatës politike në vend. Komisioneri për zgjerim Johanes Han përpara europarlamentarëve theksoi se politikanët në Shkup luajnë me të ardhmen e vendit, ndërkohë që bëri thirrje për hetim të plotë rreth bisedave të përgjuara pavarësisht burimit të tyre. “Pavarësisht burimit të përgjimeve, ato duhet të hetohen, çdo keqpërdorim potencial që zbulohet në përmbajtjen e tyre duhet të hetohet dhe të merren masa adekuate, në veçanti nëse shkelin çështjet fondamentale sikurse sundimin e të drejtës dhe ndarjes së pushteteve. Në kohën kur besimi ndaj institucioneve është i ulët, të gjithë personat publik duhet të sillen në mënyrë të përgjegjshme dhe të bartin përgjegjësi për veprimet e tyre”, deklaroi Johanes Han, komisionar për fqinjësi dhe zgjerim.
Euro-parlamentari Riçard Houit nga ana tjetër theksoi se nuk ekziston asnjë dilemë rreth skandalit të përgjimeve masive si dhe vërtetësisë të një pjese të materialeve. Ai theksoi se Brukseli nuk mund ti injorojë dëshmitë e tilla.
“Kërcënimi për burgimin e liderit të opozitës në Maqedoni është moment i rrezikshëm për demokracinë në vend. Fakti që akuzat në drejtim të Zaevit i theksoi personalisht kryeministri në konferencë për media, përforcoi shqetësimin tonë që kishim rreth dëshmive të prezantuara në audio incizimet e publikuara, dhe të cilat flasin për ndërhyrje politike në gjykata dhe media”, tha Riçard Houit, raportues në hije për Maqedoninë në PE.
Në kushte të tilla eurodeputetët theksuan se BE-ja nuk mund të qëndrojë duarkryq, por të duhet ta ndihmojë Maqedoninë të dalë nga kriza. Në këtë kuadër zv/kryeministri për çështje evropiane Fatmir Besimi theskoi se Brukseli akoma nuk e ka definuar formën e asistencën por sipas tij kjo ndihmë duhet të jetë tre dimensionale.
“Gjendja kërkon një qasje tre dimensionale si në aspektin politik, në aspektin juridik dhe atë ndërkombëtar. Tre janë komponentat të cilat do të mund që në këtë situatë mund ta mbajnë Maqedoninë në kursin e duhur, atë të integrimeve euro-atlantike”, deklaroi Fatmir Besimi, zv/kryeministër për çështje evropiane.
Ndryshe, Parlamenti Evropian në rezolutën që sot miratoi mbi Maqedoninë, dënon përgjimet joligjore, kërkon shpalljen e të gjitha materialeve si dhe hetimin e tyre të plotë në një proces të pavarur dhe transparent gjyqësor. Semra Jakupi