Njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se hyrja e Thaçit në qeveri do t’i shërbente Gruveskit, që të përforconte pozitën e lëkundur pas aferës së përgjimeve. Ish nënkryetari i PDSH-së Sulejman Rushiti vlerëson se Thaçi dëshmoi sërish se gjithmonë ka qenë në shërbim të drejtorit të DSK-së Sasho Mijallkov. Ndërkaq për analistin Ibrahim Mehmeti, Gruevski në këtë kohë krize përpiqet të sigurojë mbështetje aty ku ndihet më sigurt. “Dëshmuan që ky ka qenë në shërbim të përhershëm të drejtorit të shërbimit sekret dhe tani kur të gjithë shohin dhe të gjithë kërkojnë, pra shqiptarët kërkojnë që edhe BDI-ja të dalë nga Qeveria, del një parti tjetër që do të futet në bashkëqeverisje për t’ia zgjatur jetën VMRO-së e cila po dëshmohet se ka bërë shkelje, qoftë ligjore dhe kushtetuese dhe ka pasur një trajtim diskriminues ndaj shqiptarëve. Është veprim i palogjikshëm që do ta paguajë vetë kryetar i PDSH-së”, deklaroi Sulejman Rushiti, ish nënkryetar i PDSH-së.
“VMRO tani që ballafaqohet me presion të dukshëm nga opinioni dhe partitë opozitare, përpiqet ta zgjerojë mbështetjen aty ku ndihet më e sigurt. Dhe nëse i shohim reagimet e partive shqiptare lidhur me përgjimet telefonike, të dy partitë shqiptarë janë mjaft të rezervuara ndaj shpalljeve të LSDM-së dhe mendoj se kryeministri këtu e shikon shansin për të forcuar bazën dhe të absorbojë këtë presion”, tha Ibrahim Mehmeti, analist.
Rushiti gjithashtu vlerëson se Thaçi po përpiqet të zhvendos vëmendjen nga bisedat e publikuara me drejtorin e DSK-së Mijallkov por edhe për të shpëtuar veten nga shpërdorimet që ka bërë.
“Në procesin e çkriminalizmit, apo kroatizimit, individë të caktuar do të bëjnë akrobacione të tilla për të shpëtuar. Thjeshtë është një tentativë e kotë, dëshpëruese për të mbuluar keqpërdorimet e bëra me dekada, të disa individëve të cilët e kanë marr peng jetën politike”, u shpreh Sulejman Rushiti, ish nënkryetar i PDSH-së.
Përfshirja edhe e PDSH-së në Qeveri, sipas analistëve do ta ndrydhte akoma më shumë hapësirën për kritikë ndaj politikave qeveritare, sidomos tek shqiptarët. Një ditë më parë, kreu i PDSH-së Menduh Thaçi deklaroi hapur se ishte në bisedime me VMRO DPMNE për të hyrë në qeveri, por se postet ministrore nuk janë përcaktuar ende. Semra Jakupi