Për shkak të grevës në arsim nuk do të mbahet testimi i ekstern i paraparë më 26 janar në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme. Kjo u bë e ditur nga kryetari i Sindikatës së Arsimit, Shkencës dhe Kulturës Jakim Nedellkov duke njoftuar gjithashtu edhe për presione të mëdha ndaj arsimtarëve për tu paraqitur të hënë në punë. Sipas tij mësuesit derisa janë në grevë nuk mundet askush ti detyrojë të kryejnë obligimet e tyre, përfshirë testimin ekstern.
“Gjatë ditës së sotme po bëhet një presion i ashpër ndaj anëtarëve tanë të cilët po i detyrojnë që këtë të Hënë, gjatë kohës kur në fuqi ka grevë, ata të realizojnë testimin ekstern. Jo, e them hapur nga ky vend se të punësuarit në shkollat fillore dhe të mesme, konviktet studentore, janë në grevë të përgjithshme. Të gjithë ata që janë në grevë, në pajtim me rregullat e grevës, ata nuk do të kryejnë obligimet e tyre dhe sipas kësaj edhe testimi ekstern që duhet të bëhet të hënën, njerëzit që janë në grevë nuk do ta realizojnë atë. Askush nuk guxon t’u urdhërojë atyre gjatë kohës sa janë në grevë”, tha Jakim Nedellkov, kryetar i SASHK-ut.
Kryetari i SASHK-ut alarmoi se mësuesit gjatë këtyre 4 ditëve janë nën presion të madh të autoriteteve. Sipas tij mësuesit po kërcënohen me largim nga puna dhe tashmë nëpër shkolla po bëhet dërgimi i mësuesve zëvendësues. Nedellkov thotë se nuk janë vetëm shkollat fillore dhe të mesme që janë në grevë, por janë edhe çerdhet, shtëpitë e studentëve dhe të gjitha institucionet kulturore.
“Çerdhet, shtëpitë e kulturës që askush nuk i përmend, kultura në Shkup është tërësisht në grevë, urdhëroni, vizitoni ato! Çfarë turpi është të thuhet se vetëm Kumanova dhe Strumica janë në grevë”, u shpreh Jakim Nedellkov, kryetar i SASHK-ut.
“Në të gjitha çerdhet e Maqedonisë, me përjashtim të disa komunave po realizohet pranimi i fëmijëve të moshave parashkollore në kuadër të çerdheve. Një përjashtim është një çerdhe në Komunën Qendër dhe në Kumanovë, por ne sot po i presim edhe të dhënat më konkrete, por sistematikisht ne kontrollojmë të dhënat dhe ato flasin se nuk ka çerdhe të mbyllura në Maqedoni”, deklaroi Dime Spasov, Ministër i Punës dhe Politikës Sociale.
Por, punonjësit e arsimit thonë se greva do të vazhdojë edhe përkundër presioneve që ajo të shuhet. Ata thonë se kërkesat e tyre janë reale dhe duhet të pranohen. Nga SASHK-u gjithashtu informojnë se 35t e afërta me pushtetin po tentojnë të minimizojnë jehonën e grevës e cila po përkrahet pothuajse në të gjithë territorin e Maqedonisë. Sipas tyre nuk është e vërtet që grevë ka vetëm në Kumanovë dhe Strumicë, por se 100% grevë po mbahet edhe në Komunën e Likovës, në të gjitha komunat e Qytetit të Shkupit, në Tetovë dhe komunat përreth, Gostivar, Strugë, Dibër, Manastir dhe qytete tjera. Valmir Kuçi