Zaev: Gjyqësori dhe Prokuroria, të okupuar nga udhëheqësit e tyre

Lideri i LSDM-së Zoran Zaev ka dëshmuar në Prokurori si i dëmtuar në aferën e përgjimit, që sipas LSDM-së është urdhëruar dhe shfrytëzuar nga VMRO DPMNE-ja. Zaev theksoi se organet gjyqësore, përfshirë edhe Prokurorinë, janë të okupuar nga udhëheqësit e këtyre institucioneve, që sipas tij janë në shërbim të pushtetit. Megjithatë ai thotë do të vazhdojë që dëshmitë e bombave ti dorëzojë edhe në gjyqësor, për të respektuar ligjet dhe Kushtetutën.“Dinjiteti i institucionit të prokurorit dhe të organeve të tjera gjyqësore, është rrënuar vetëm nga individë. Pjesa më e madhe e njerëzve që punojnë në këto institucione, përfshirë edhe Prokurorinë Publike, janë njerëz të ndershëm që e kryejnë me nder profesionin e tyre. Për këtë fakt, vazhdojmë të kultivojmë shpresat se do të veprojnë vetëm sipas Ligjit dhe Kushtetutës së Maqedonisë, as më pak e as më shumë. Me këtë do të dërgojnë porosi të fuqishme inkurajuese për shoqërinë tonë, do të shkruajnë histori, ndërsa ne do ta përshëndesim publikisht” , deklaroi Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së.
Lidhur me procesin gjyqësor “Puçi”, ku Zaevi është i përfshirë si i dyshuari i katërt për dhunë ndaj organeve më të larta shtetërore, lideri i LSDM-së bëri të ditur se ende nuk është thirrur për të dëshmuar në Prokurori.
“Kur të thirremi si të dyshuar nga Prokuroria Publike. Aty ende nuk jemi thirrur as unë, as disa njerëz që i njoh, që janë në paraburgim. E di se ata do të vendosin kur të ketë dëshmi të mjaftueshme. Ende nuk ka as aktpadi, as ndonjë proces tjetër”, u shpreh Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së.
Aktualisht në Prokurorinë Publike procedohen dy raste voluminoze dhe me rëndësi të veçantë politike; rasti “Puçi”, lidhur me të cilin përveç Zaevit dyshohen edhe 3 të tjerë për dhunë ndaj organeve shtetërore dhe spiunazh, si dhe afera e përgjimeve. LSDM-ja ka paditur drejtorin e Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim Sasho Mijallkov dhe drejtorin e Drejtorisë së Pestë në polici Goran Gruevski, se kanë përgjuar ilegalisht mbi 20 mijë qytetarë, përfshi ministrat e vetë, udhëheqësit e opozitës, krerët e partive shqiptare, bashkësitë fetare, biznesmenë dhe gazetarë. Sipas padisë së LSDM-së, bisedat e përgjuara janë përdorur për nevojat politike të partisë në pushtet dhe personalisht kryeministrit Nikolla Gruevski. Benjamin Arifi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>