Agjencia e Inteligjencës nuk komenton bisedën e agjentit me grupin e kumanovës

Inteligjencës edhe sot i injoroi pyetjet e ALSAT nëse të punësuar të saj kanë pasur kontakte me grupin e Kumanovës para ngjarjeve të 9 dhe 10 majit.

Refuzimi i tillë vazhdon përkundër audio-regjistrimit të publikuar një ditë më parë, në të cilin duket se bisedojnë njëri nga liderët e vrarë të grupit Mirsad Ndrecaj dhe një person për të cilin besohet të jetë punonjës i Agjencisë së Inteligjencës. Nuk ka as përgjigje, nëse Agjencia ka filluar ndonjë procedurë për të përcaktuar nëse dikush në radhët e saj, ka pasur kontakte, qoftë pa dijeninë e eprorëve. Siç publikuam edhe mbrëmë, RTV Dukagjini nga Kosova shpaloste një bisedë të regjistruar telefonike ndërmjet Mirsad Ndrecajt dhe personit të prezantuar si agjent i Maqedonisë nga Agjencia. Nga biseda, krijohet përshtypja se i pranishëm është edhe Beg Rizaj, i cili po ashtu mbeti i vrarë pas ngjarjeve në Kumanovë. Regjistrimi është bërë pas sulmit ndaj pikës kufitare në Gushincë, ku u vodhën armë.

Në vazhdim, personi që është prezantuar si i punësuar në Agjencinë e Inteligjencës bisedon për statusin në Facebook të Ndrecajt, në të cilin ai thotë se sulmin në Gushincë e kishin organizuar djemtë më të mirë të UÇK-së.
Gjatë bisedës Ndrecaj akuzon ish-shefin e DSK-së së Maqedonisë, Sasho Mijallkov për dekonspirim.
Në fund të bisedës, Ndrecaj i kërkon agjentit që të vijë në Prishtinë, por pasi e mbyllin telefonin, flasin me kërcënim se nëse vjen do i qërojnë hesapet me të.

Siç publikoi tashmë Alsat M, një pjesë e të arrestuarve në Kumanovë në deklaratat e veta para organeve të hetuesisë, kanë bërë të ditur se kanë qenë dëshmitarë të bisedave telefonike mes shërbimeve sekrete dhe liderëve të grupit të Kumanovës. Përveç personit të përmendur, për të cilin pohohet se është i punësuar në Agjencinë e Inteligjencës, besohet se ka qenë në kontakt edhe persona të tjerë, përfshi edhe një të prezantuar si këshilltar i Presidentit. Pavarësisht thirrjeve të shumta publike, reagimi i vetëm i Agjencisë së Inteligjencës deri tani ishte kërcënimi me ndjekje penale të mediave dhe gazetarëve që kanë publikuar identitetin e të punësuarit të tyre. Çdo ditë, edhe në skenën vendore dhe atë ndërkombëtare, bëhet thirrje për zbardhjen e të gjitha detajeve rreth ngjarjeve të Kumanovës. Alsat

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>