Liderët e dy partive më të mëdha politike në maqedoni, VMRO-DPMNE-së dhe të LSDM-së, Nikolla Gruevski dhe Zoran Zaev, kanë shprehur qëndrimet e tyre lidhur me marrëveshjen për zgjidhjen e krizës politike në Maqedoni.
Njëkohësisht, kanë publikuar pikat më të rëndësishme të marrëveshjes.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbahen më 24 prill të vitit të ardhshëm. Qeveria kalimtare do të formohet deri më 15 janar dhe atë nuk do ta udhëheqë Nikolla Gruevski. Afera e përgjimeve do të hetohet nga një prokuror special publik. LSDM-ja kthehet në Kuvend në fillim të muajit shtator.
“Nikolla Gruevski do të japë dorëheqeje dhe nuk do ta udhëheqë qeverinë, e cila do t’i organizojë zgjedhjet që do të mbahen më 24 prill të vitit të ardhshëm. LSDM-ja, në fillim të shtatorit, do të kthehet në Kuvend dhe do të marrë pjesë aktive në zbatimin e tërësishëm të marrëveshjes së arritur për ndryshimet e domosdoshme në sferat kritike të apostrofuara nga raportet ndërkombëtar“, ka deklaruar Kryetari i Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë, Zoran Zaev.
Ai e ka cilësuar marrëveshjen si një fitore të madhe të opozitës.
“Ajo paraqet fitore të madhe, pasi konfirmon të gjitha dëshmitë e opozitës të paraqitura periudhën e fundit nga përgjimet, se qeveria aktuale në krye me Gruevskin është e zhytur në veprimtari të rënda kriminale”, është shprehur ai.
“Me marrëveshjen e arritur u konfirmua ajo që në vazhdimësi, unë, LSDM-ja, koalicioni qeveritar e kemi konfirmuar me projektin ‘E vërteta për Maqedoninë’, se Nikolla Gruevski dhe bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë qeverisin në mënyrë kriminale dhe korruptive dhe se nuk fitojnë në zgjedhje, por i vjedhin votat dhe manipulojnë proceset zgjedhore”, ka shtuar ai.
Marrëveshja është arritur me ndërmjetimin e komisionerit për Zgjerim dhe Fqinjësi të BE-së, Johannes Hahn dhe takimeve intensive të hënën, midis ndihmës-sekretares amerikane të shtetit, Viktoria Nuland dhe liderëve të katër partive kryesore politike.
Pak më shumë detaje të marrëveshjes ka dhënë Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski.
“100 ditë para mbajtjes së çdo cikli zgjedhor parlamentar qeveria do të tërhiqet dhe do të formohet një qeveri e re për zbatimin e zgjedhjeve. Kjo do të thotë se VMRO-ja do të nominojë një kryeministër të përkohshëm për një periudhë prej 100 ditësh, duke filluar nga 15 janari i vitit 2016 e deri në zgjedhjet që do të mbahen më 24 prill”, ka shpjeguar Gruevski.
“Që të përjashtohet mundësia që dikush të ketë alibi për rezultatin zgjedhor është vendosur që LSDM-ja, në konsultim paraparak me VMRO-në dhe BDI-në, të propozojë një ministër teknik për Punë të Brendshme, duke filluar nga 20 tetori i këtij viti”, ka shpjeguar ai.
“Gjithashtu është vendosur që deri në 15 shtator të zgjidhet prokurori special publik, i cili do të hetojë aferën e përgjimeve. Ai do të zgjidhet në konsultim me të gjitha katër partitë politike“, ka shpjeguar Gruevksi.
Sipas tij, marrëveshja është arritur përkundër, siç ka thënë ai, “përpjekjeve maksimale që janë bërë nga LSDM-ja për dështimin e negociatave”. (r.m.)