AJKA INTELEKTUALE TETOVARE…!

Foto Nijazi Fanda/Përkujtesë/

Sa e ndritur dukej Tetova e dikurshme, nga fundi i viteve të 50-ta, me këto figura të dalluara prej intelektualësh e atdhetarësh tetovarë, që reflektojnë qetësi dhe buzëqeshje, ndonëse brenda parzmës së tyre kanë pasur shumë energji të pashpërthyera nga erupsionet e tyre shpirtërore mbi brengat e popullit…

Ishte vetë sheshi i Tetovës, përpara dyqanit të Vetëshërbimit të parë të qytetit, pikëtakimi i këtyre personaliteteve të shquara. Kjo foto po na i trazon kujtimet e vjetra, për njerëzit e dalluar, luftëtarë të emancipimit dhe të civilizimit të masave të gjera. Kjo foto historike na kujton kohën e moçme, kur intelektualët e vërtetë s’takoheshin nëpër kafene e restorante, por në sheshin e bukur të qytetit, ku i zhvillonin ashtu në qetësi debatet e tyre të kohës, pa u hetuar nga kalimtarët e rastit. Ishin shëmbëlltyrë për brezat që vinin, andaj sot i kujtojmë me pietet: nga e majta: Mësuesi Abdulla Adilçe (i shpërngulur në Turqi), mësuesi Sejfulla (me të cilin pata nder si i ri të jem koleg në vitet 1968-1973 në SHF “Vëllazërim-Bashkim” të qytetit); patrioti i shquar, mësuesi Nijazi Fanda (një kohë jetoi në mëhallën tonë pranë xhamisë Gamgam); pastaj nëpunësi i bankës (më ndjeni nëse gaboj funksionin), Ali Suljemani (i biri i dr. Xhafer Sulejmanit, kryebashkiakut të parë shqiptar në Tetovë më 1941-1943), si dhe dr. Rifat Palloshi, mik i familjes sonë, doktor i shquar tetovar, specialist, patriot e gojëmbël, që shëronte edhe me fjalë (me të cilin, në vitet e fundit të jetës së tij, zhvillova një intervistë të paharruar për jetën e doktor Xhafer Sulejmanit).

P.S. Kërkoj ndjesë nga autori i kësaj fotoje historike, që e kam ruajtur një kohë në arkivin tim, pa e pasur emrin e tij.

huazuar nga faqja Facebook e Ismail Arsllanit

 

Po Sot?

Dilema: Analfabet funksional apo Mercenar?

Kur u lexon biografinë e disa „intelektualëve“ disa janë/ishin edhe bartës të funksioneve politike/shtetërore nga radhët e partive politike shqiptare, bie në sy, që një pjesë e madhe e tyre, janë pajisur me tituj të lartë akademikë, nëpër qendra të ndryshme universitare, si kanë arritur deri te këta tituj dhe sa është vlera e mirëfilltë e këtyre titujve është një temë tjetër, që fatkeqësish deri më tani qarkullon vetëm si thashetheme, pa u demaskuar, por fakt është se ata janë të furnizuar me tituj akademikë. Kur këta, bartës të këtyre titujve të lartë akademikë, që të shkretët mundohen të luajnë rolin e intelektualit shqiptar, sipas deklaratave, veprimeve dhe qëndrimeve të tyre, vetvetiu lind pyetja:

A janë këta, analfabet funksional apo janë mercenar, vasal në shërbim të interesave të qendrave të huaja?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>