VMRO-DMPNE vazhdon të mbajë qëndrim të fortë ndaj skandalit të përgjimeve, duke çuar negociatat buzë dështimit sa i përket Prokurorit special, duke mos pranuar zëvendësit e tij për të cilët insiston LSDM dhe eksperti ndërkombëtarë Piter Wan Hojt.
Midis qëndrimit të LSDM-së që Prokurori të punojë i pavarur, duke pasur dhe zëvendës të tij, dhe idesë së VMRO që Prokurori të jetë i lidhur për Prokurorinë Publike dhe të punojë i vetëm, deri të dielën pasdite nuk është gjetur mesi i artë për ta kaluar ngërçin e negociatave brenda grupit punues.
Përveç LSDM-së, ashtu dhe BDI e PDSH janë dakord që prokurori special të ketë zëvendës, ndërsa këto presin deri të martën në mëngjes nëse VMRO do të lëshojë pe apo do të rrezikojë afatin e paraparë më 15 shtator për të cilin firmosi kryeministri Gruevski në tekstin e marrëveshjes së Përzhinos.
Që të respektohet afati për votimin e ndryshimeve të Ligjit për Prokurorinë Publike, Grupit punues të dielën iu ka bashkangjitur edhe ambasadori i BE-së në Shkup, Aivo Orav. Nëse edhe të dielën në mbrëmje nuk do ketë marrëveshje, pritet që të hënën në grupin punues të interferojë qoftë vetë – qoftë përmes përfaqësuesve tjerë edhe ambasadori amerikan Xhes Bejli për të ndikuar përfundimisht në suksesin bisedimeve për prokurorin special. Me gjasë, emri i Prokurorit special mund të shtyhet edhe pas datës 15 shtator, ndërsa kjo çështje do të jetë ndër pikat kryesore të bisedimeve të eurokomisarit për zgjerim, Johanes Han gjatë vizitës së paralajmëruar më 18 shtator në Shkup.
Jozyrtarisht flitet se diplomatët e vendeve më të zhvilluara perëndimore po tentojnë ta bindin VMRO-në që të pranojë idenë për zëvendësprokurorë në mënyrë që të martën të votohen ndryshimet ligjore e që do të krijonin bazë për instalimin e Prokurorit special. Ndërsa burimet tona të afërta me partitë politike në pushtet tregojnë arsyen pse Gruevski nuk dëshiron ti bindet LSDM-së për Prokurorin special, duke e lidhur me sigurinë e madhe të kryetarit të VMRO-së se do ti fitojë përsëri zgjedhjet e ardhshme parlamentare, andaj sipas këtyre burimeve – këtë po mundohet t’ia transmetojë edhe diplomatëve të huaj.
Po këto burime thonë se po mos të kishte siguri Grevski, ai do të bënte pazarin e amnistisë me LSDM dhe për ndërrim pa dhunë të pushtetit. Nga ana tjetër, LSDM shpreson se do ti fitojë zgjedhjet e parakohshme të radhës, pas skandalit të përgjimeve dhe krizës së zgjatur politike, dhe fare nuk dëshiron të hyjë në negociata interne me VMRO-në lidhur me amnistinë e mundshme të lidershipit të saj, njofton Koha.
Zyrtarë të LSDM-së thonë se rasti “Puç”, ku akuzohet direkt lideri Zoran Zaev, është problem numër një pse insiston në Prokurorin special dhe zëvendësit e tij që të gjejnë zgjidhje për skandalin e përgjimeve dhe që nuk dëshiron të bisedojë për një amnisti të mundshme me VMRO-në. Të dyja partitë janë në test përfundimtar para ndërkombëtarëve nëse po luftojnë për interesa politik apo janë të gatshëm ti rindërtojnë premisat për integrimin e vendit në BE dhe në paktin NATO.
Jo vetëm votimi i ndryshimeve ligjore në Parlament dhe zgjedhja e emrit se kush do të jetë Prokuror special, por edhe ndryshimet e shumë debatuara të sistemit zgjedhor në tërësi, reflektimi tek puna e organeve të zbulimit dhe sigurisë, mediave dhe mbikëqyrja e Avokatit të Popullit ndaj institucioneve shtetërore, janë tema për të cilat palët duhet të gjejnë zgjidhje sipas afateve të parapara me Marrëveshjen e Përzhinos. Në këto çështje, nëse do të ketë marrëveshje ose jo – do të reflektohet menjëherë në Raportin e Progresit për Maqedoninë që pritet të përpilohet deri në fund të tetorit nga ana e Komisionit Evropian.
Nëse kalohet faza e parë e implementimit të Marrëveshjes politike me Prokurorin special dhe problematikat zgjedhore, faza e dytë është po aq problematike megjithëse është më shume politike se sa juridike, që nga dorëheqja e kryeministrit Gruevski e deri tek organizimi i zgjedhjeve parlamentare me 24 prill të vitit të ardhshëm. (ina)