BDI është fatkeqësia më e madhe politike në historinë e shqiptarëve të Maqedonisë të cilët dështimin e tyre mundohen ta nxjerrin në nivel të dështimit të popullit. Kështu vlerësojnë njohësit e çështjeve politike duke komentuar deklaratat e liderit të BDI-së Ali Ahmeti dhe zv/kryeministrit Musa Xhaferi se Marrëveshja e Ohrit është pika e fundit e zgjidhjes së çështjes shqiptare në Maqedoni. Ramadan Ramadani thotë se statusi i shqiptarëve në vend ende larg asaj që kishte parashikuar MO-ja para 14 viteve. Ramadani thotë krerët e BDi-së më shumë janë përkushtuar për interesat e tyre se sa të shqiptarëve që i kanë dhënë besimin për ti përfaqësuar
“Këta edhe njëherë po provojnë që nëse mund të ia hedhin popullit dështimin e tyre në gjithë punën e tyre shumëvjeçare dhe kjo i bënë ata që të jenë fatkeqësia më e madhe politike në historinë e shqiptarëve të Maqedonisë të cilët dështimin vetë mundohen ta nxjerrin në nivel të dështimit të popullit. Për çdo vit po përsëritet se tani rezultati i vetëm i Marrëveshjes së Ohrit mund të jetë se edhe delet e Ali Ahmetit i kanë kushtet më të mira në Maqedoni se sa votuesit e BDI-së dhe qytetarët tjerë, gjegjësit ato dele kanë rrugën për në stanin e tyre dhe ujin e pijshëm, gjë që ju mungon shumë qytetarëve në Maqedoni”, tha Ramadan Ramadani, analist.
Profesori Sefer Tahiri thotë se Marrëveshja e Ohrit është një mall i skanduar që nuk ka dhënë rezultatet e pritura andaj ai shtron nevojën e arritjes së një marrëveshjeje të re.
“E them këtë duke marrë parasysh faktin se është bërë më e deplasuar, është bërë edhe një veprim i pahijshëm politik që vazhdimisht të merremi me çështjen e zbatimit apo moszbatimit të MO-së. MO-ja e cila u miratua në kushte të luftës është koha e fundit që të zëvendësohet me një marrëveshje të re politike, me një marrëveshje e cila do të negociohet gjatë kohë me një debat të gjerë të përfshirë nga politikanët, elitat politike, sektori joqeveritar, intelektualët dhe qytetarët e më pas të shohim se si të ndërtojmë një Maqedoni kohezive, një Maqedoni e cila nuk do të jetë e njëanshme dhe nuk do të jetë për dikë nënë dhe për dikë njerkë”, u shpreh Sefer Tahiri, profesor.
Analisti Xhelal Neziri akuzoi BDI-në se ka problem në raport me MO-në pasi e konsideron atë si pronë private e partiake.
“Është absurde që sot ne të debatojmë për implementimin e MO-së në kohën kur Maqedonia është dashur që të funksionojë dhe të tregohet si model i funksionimit të shtetit multietnik në frymën e asaj marrëveshjeje. Fryma e MO-së nuk është askund, as në institucione, as në sferat tjera të jetës, pra ajo frymë mungon, germa e MO-së ka mbetur e cunguar dhe përgjegjës për këtë nuk mund të jenë njerëzit që paraqiten me kritika në opinion, por përgjegjës ata që kanë marrë këtë përgjegjësi që t’i dalin në krye kësaj pune”, tha Xhelal Neziri, analist.
Pakënaqësi ndaj zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit shprehën një ditë më parë edhe qytetarët shqiptarë ndërsa gjatë shënimit të përvjetorit në varrezat e dëshmorëve në Sllupçan në shenjë pakënaqësie nuk ishte i pranishëm asnjë banorë përkrah krerëve të BDI-së që kishin shkuar për të bërë homazhe.
Valmir Kuçi