Nga 11 paralele të parapara për këtë vit me mësim në gjuhën maqedonase në Shkollën e Mesme Ekonomike “Arseni Jovkov” vetëm 7 janë plotësuar me nxënës, kurse 8 paralelet me mësim në gjuhën shqipe qysh në afatin e parë të regjistrimit janë plotësuar. Përgjegjësi i paraleleve shqipe në SH.M “Arseni Jovkov” Nazmi Ramani thotë se fluksi i nxënësve shqiptarë që kanë konkurruar në paralelet maqedonase këtë vit është dukshëm më i vogël se vitet e kaluara.
“Sa i takon afatit të parë dhe të dytë të regjistrimit kishte dallim shumë prej viteve të kaluara megjithëse afatin e parë dhe të dytë nuk kishte nxënës shqiptarë që konkurronin për regjistrim në paralelet në gjuhën maqedonase pasi këtë vit në drejtimin ekonomik kemi 8 paralele në gjuhën shqipe, përveç kësaj paralele shqip të drejtimit ekonomik kemi edhe në shkollën e mesme “Cvetan Dimov” d.m.th nuk e shohim të arsyeshme pasi kishte vend në paralelet shqipe, nxënësit shqiptarë të mësojnë në paralelet maqedonase,” deklaroi Nazmi Ramani, përgjegjës i paraleleve shqipe në SH.M “Arseni Jovkov”
Ndërkohë ndihmës drejtori i Shkollës së mesme të komunikacionit rrugor, “Boro Petrushevski” Zekirija Zekiri thotë se këtë vit në shkollën e tyre janë plotësuar të gjitha vendet e rezervuara për gjysmë maturantët shqiptarë.
“Në afatin e parë ishte i suksesshëm, po ashtu edhe në afatin e dytë regjistrimi ka qenë i suksesshëm. Vende të lira pas afatit të dytë i kemi vetëm 5 vende d.m.th jemi të kënaqur këtë vit shkollor, prej 160 vendeve të lira për shqiptarët janë mbushur 155 vende, dhe kemi edhe 5 vende të lira për afatin e tretë dhe të fundit. Tek ne nuk ka numër të madh siç është nëpër shkolla tjera d.m.th kemi numër që mund t’i plotësojmë paralelet në gjuhën shqipe, nuk kemi nxënës që regjistrohen në gjuhën maqedonase pasi tani ka mundësi mësimin ta zhvillojë në gjuhën shqipe,” u shpreh Zekirja Zekiri, Ndihmës drejtor i SH.M “Boro Petrushevski”
Në Shkollën e Mesme të Qytetit të Shkupit, “Cvetan Dimov” gjatë afatit të dytë të regjistrimit në paralelet maqedonase kishin konkurruar vetëm dy nxënës shqiptarë, të cilët pas shpalljes së rezultateve, si mungesë e mosplotësimit të pikëve nuk janë pranuar. Problemi me nxënësit shqiptar që plotësojnë paralelet me mësim në gjuhën maqedonase ishte aktualizuar nga ALSAT-M qysh vitin e kaluar. Nga hulumtimet e bëra në atë kohë u kuptua se paralelet maqedonase plotësohen me nxënës shqiptar ose kanë numër shumë të vogël të nxënësve krahasuar me paralelet shqiptare të cilat kalojnë numrin 42 nxënës.
Valmir Kuçi