Asociacioni kufizon sovranitetin e Kosovës

MajkoMe Asociacionin e Komunave me shumicë serbe nuk po krijohet një “Republika Srpska” në Kosovë, mirëpo e vërteta është se Asociacioni është një eksperiment që prodhon një sovranitet të kufizuar në një pjesë të territorit të vendit.

Kështu ka deklaruar ish-kryeministri i Shqipërisë, Pandeli Majko, gjatë një interviste ekskluzive për gazetën “Zëri”, i cili njëherësh është deputet i Partisë Socialiste në Parlamentin e Shqipërisë.

Serbia, sipas tij, po kërkon ta ruajë influencën e vendimmarrjes në Kosovë, duke kërkuar që përveç shtetit serb të garantojë një “hapësirë” të interesave të veta në një hapësirë që është më e madhe sesa territori ku ushtron sovranitet.

Majko, që ka qenë kryeministër i Shqipërisë gjatë periudhës së luftës në Kosovë, përkatësisht gjatë viteve 1998-99, ka folur edhe për ushtrinë e shtetit më të ri në Evropë, duke thënë se ky shtet do t’i formalizojë forcat e veta të armatosura.

Gjatë kësaj interviste ai ka folur edhe për barrierat ekonomike në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, konfliktin e Kumanovës, liberalizimin e vizave dhe idenë e shkëmbimit të territoreve, etj.

Zëri: Z. Majko, cili është komenti juaj për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe në Kosovë? A do të krijohet me Asociacionin një “Republika Srpska” në Kosovë?

Majko: Kjo që po më pyesni ka edhe komentin tuaj, të cilin po e marr si një “pyetje” po ashtu. Ekziston një dyzim i arsyeshëm lidhur me atë çfarë klasa politike drejtuese e Kosovës po realizon pas miratimit të “Paketës” së Ahtisarit…. Çdokush pati idenë se me paketën në fjalë “lëshimet” e shqiptarëve ndaj kërkesave të Serbisë morën fund. Nuk ndodhi kështu dhe ky është një fakt që duhet ta mësojmë veten. A është Asociacioni i minoritetit serb në Kosovë një “Republika Srpska”…? Jo! Nuk mendoj se mund të jetë kështu. Së pari, se serbët nuk kanë një matematikë kaq imponuese për ta zhvilluar këtë koncept në Kosovë. Beogradi vuan “inercinë” politike të Jugosllavisë së vjetër dhe këtë politikë e zhvillon mbi një praktikë absurde. Me Daytonin, Beogradi arriti një gjysmë-suksesi, por jo me Kosovën. Ajo që diskutohet sot praktikisht është influenca rajonale.

Në këtë skenë të shpartalluar ballkanike Brukseli ka një mungesë të arsyetuar të politikanëve të sprovuar të Luftës së Ftohtë… deri në bezdi. Shqiptari i thjeshtë, politikan ose jo ndjen pasigurinë evropiane ndaj faktorit shqiptar dhe mungesën e një plani, i cili do t’i jepte çdokujt një balancim karshi tjetrit ku serbët, kroatët, shqiptarët, grekët dhe të tjerët të ndihen komod me atë qe u takon dhe nuk u takon. Bosnja, Maqedonia dhe Kosova po kthehen në zona shahu provincial. Asociacioni është një eksperiment që prodhon një sovranitet më të kufizuar në një pjesë të territorit. Ky është fakt. Politikisht serbët në formimin e shtetit të Kosovës kanë prodhuar një influencë teknike, e cila fillon nga dygjuhësia e deri tek ky “zhardhok” që quhet “bashkësi” (përkthimi nga anglishtja)…. A ishte e pritshme kjo? Nuk dua t’u zhgënjej duke thënë “Jo”…Në fakt gati 100 vjet qëndrimi bashkë nën tjegullën e Jugosllavisë shqiptarët dhe serbët kanë ngacmuar nervat e njeri-tjetrit bazuar në parimin e pabarazisë. Ky parim ka ngjallur nënvleftësim të dyanshëm dhe mungesë të një fondamenti që dy kombe fqinje ngrenë për njëri-tjetrin. Brukseli mendon se qetësimi relativ dhe “kufizimet” pa fitimtarë mund të garantojnë qetësi. Ashtu si një strateg rus mund të konsideroj hapësirat e “bashkësisë” serbe si një “Krime” potenciale në kushtet e një krize ekstreme shqiptaro-serbe. Po kjo është veç një hipotezë mjaft “aventuriere” për çdolloj politikani në Beograd. Nuk pres që ish-kryeqyteti i shtetit jugosllav që nuk ekziston më, të drejtohet nga një politikan më sfidues sesa Milosheviqi.

Zëri: Opozita po paralajmëron protesta për ta kundërshtuar Asociacionin, përderisa Qeveria thotë se me Asociacionin u njoh Republika e Kosovës nga Serbia. Cili është komenti juaj?

Majko: Nuk ndihem aq komod sa të futem në cilësinë e debatit politik në Kosovë. Respektoj opinionet e gjithsecilit. Kjo është një çështje që natyrshëm do të ketë implikime. Çdo palë në një marrëveshje vjen me qëllimet e veta. Serbia kërkon të ruajë influencën e vendimmarrjes në Kosovë, duke kërkuar që përveç shtetit serb të garantojë një “hapësirë” të interesave të veta në një hapësirë që është më e madhe sesa territori, ku ushtron sovranitet. Brukseli, Washingtoni e Londra kanë toleruar në favor të një Serbie më “evropiane” për ta mbajtur larg një interesi rus. Nuk po lodh lexuesin se si e mendoj këtë të ardhme.

Pyetja që shtrohet qetësisht sipas mendimit tim për shqiptarët është se çfarë profili ata do të krijojnë përballë të treve në kohët që po vinë? Ka një rrezik të dyfishtë cilin po përpiqem ta shtjelloj shkurtimisht. Nga njëra anë, ai është dyzimi ynë kulturor dhe politik midis Lindjes dhe Perëndimit, e cila mund të vijë edhe si pasojë e komplekseve tona për të luajtur me të dyja krahët si sindromë i kombeve të vogla. Shqipëria për shembull ndan një miqësi pa kushte me Turqinë. Janë aleatët tanë pa asnjë dyshim dhe nënqeshje. Por, ka një “por”… Shqiptarët nuk janë prapashtesë e politikës turke apo e modelit të islamit politik. Miqësia dhe modeli janë dy gjëra të ndryshme. As grekët ortodoksë dhe as italianët katolikë nuk mund të jenë fondamenti ynë për standardin e miqësisë. Të tria na ndikojnë që problemet e tyre të kthehen në problemet tona të brendshme, duke na bërë fushë “shahu” për të tretët. Kjo na çon tek ana tjetër e rrezikut që në këtë presion serb dhe marrëveshjesh joreciproke të vrapojmë në panik të gjejmë aleanca gjysmake e sporadike. Kjo mund të na sjellë në pozitën gjeopolitike të pas Luftës së Dytë kur komunistët të ndodhur midis Lindjes dhe Perëndimit ndërmorën udhëtimin e vetmisë drejt “askundit”… Të sjellit si zonë “kufitare” apo me karakterizimin “urë” mund të na dëmtojë ashtu siç ndodh në raste luftërash dhe të na kthejë në zonë konflikti. Nuk jam i zymtë duke parashikuar një rrezik. Përkundrazi, e di dhe e ndjej se shqiptarët asnjëherë më shumë se më parë dinë të parashikojnë dhe të vendosin vetë. Kush ka menduar se “Bashkësia” serbe bën cilësisht me evropian shtetin e Kosovës gabohet. Dhe gabohet rëndë!

Statusi i shqiptarëve të Luginës në dorë të Prishtinës

Zëri: Një Asociacion po e themelojnë edhe shqiptarët e Luginës, mirëpo ata s’kanë mbështetje as nga Prishtina, as nga Tirana e as nga Brukseli. Në këto rrethana, a duhet krijuar Asociacioni i Komunave Shqiptare në Luginë?

Majko: Në parim statusi i Luginës së shqiptarëve në Serbi është në dorën e cilësisë së negociatave të Prishtinës me Beogradin. Në çdo rast, në mos sot, nesër kjo do të jetë një çështje që qëndron mbi dhe nën tavolinën e bisedimeve shqiptaro-serbe. Është jashtë logjikës që në një tavolinë të barabartësh, ku diskutohen parimet evropiane të bashkëpunimit rajonal, serbët të kenë paritet të ndryshëm nga shqiptarët. Jam që të diskutohen e fundja të bihet dakord në mosmarrëveshjet që ekzistojnë si të tilla. Kosovës dhe Serbisë i duhet një hartë e plotë e marrëveshjeve dhe mosmarrëveshjeve që ekzistojnë midis tyre. Zyrtarizimi i mosmarrëveshjeve nuk është krizë, por mundësi për të ardhmen. Heshtja ngjall keqkuptim. Nuk besoj se ka për të ndodhur kjo e fundit.

Tirana e humbi statusin e “kujdestares” së shqiptarëve në rajon

Zëri: Serbia po synon të integrohet në BE, përderisa vazhdimisht e shtyp komunitetin shqiptar. Kjo u pa të dielën, kur mijëra qytetarë të Medvegjës u penguan në kufi, duke mos i lejuar të votojnë. Pse ky mosreagim i Tiranës zyrtare për diskriminimin që po u bëhet shqiptarëve jashtë kufijve të Shqipërisë?

Majko: (Qesh) Mos prisni që serbët të kthehen në “engjëj” pas çdo marrëveshjeje. Serbia vuan humbjen e një mundësie që e pati për gati një shekull. Kualiteti që të lërë humbja është arroganca boshe. Mos prisni vetëm reagimin e Tiranës, pasi ajo e ka humbur statusin e “kujdestares” unike të shqiptarëve në rajon. Tirana zyrtare ndan bashkëkujdestarinë me Prishtinën, së cilës nuk ka pse i bën hije. Nuk e di nëse në raportimin e radhës në Kombet e Bashkuara përfaqësuesit e Prishtinës do të flasin edhe për këtë çështje. Shpresoj të ndodhë.

Ushtria, vetëm çështje kohe

Zëri: Keni qenë edhe ministër i Mbrojtjes i Shqipërisë. Pse është e nevojshme që Kosova ta ketë ushtrinë e vet, ndonëse kjo nuk po lejohet nga partitë serbe në Kuvend?

Majko: A mund të imagjinohet Kosova pa ushtrinë e vet në këto kohë të vështira që po vijnë.!?Përgjigjja dihet. Serbët në këtë rast bëjnë atë që dinë të bëjnë më mirë. Është një lojë nervash dhe kaq. Kosova është një shtet që i ka dhe do t’i formalizojë forcat e veta të armatosura. Mos e lodhni veten me pyetje që u dihet përgjigjja.

Zëri: Kosova është shteti i vetëm në Evropë me të cilin BE-ja nuk i ka hequr vizat. A po përdorin ndërkombëtarët standarde të dyfishta për qytetarët e Kosovës?

Majko: Jo! Mendoj se Shteti i Kosovës është shteti më i ri në këtë botë kaq të komplikuar. Precedenti i krijimit të tij është ndër më të lakuarit dhe që shpesh hyn në fjalorin e diplomacisë ndërkombëtare edhe për çështje që nuk lidhen direkt me të. Evropa e priti Kosovën, “fëmijën” e vet, gjithë frikë si të ishte një rrufe në qiell të pastër. Nuk ishte një “fëmijë” si të tjerët. Kosova është një fëmijë që përkujton gabimet më shumë sesa dashurinë. Duhet të mësohemi me këtë lloj sjellje evropiane. Janë duke na parë gjithë shqetësim çfarë jemi dhe si do të sillemi në një tavolinë që nuk na llogariste njeri. Historia i trajtoi shqiptarët me statusin e jetimit. Amerikanët dhe britanikët që dinin më shumë nga marrëdhënia me historinë na ndihmuan më shumë. Të tjerët do të mësohen të na duan me kalimin e kohës dhe maturimin tonë. Nuk jetojmë në botë perfekte.

Zëri: Të rikthehemi te barrierat ekonomike Kosovë – Shqipëri. Së fundmi ndodhi bllokada e rrushit, por më herët kemi pasur edhe “incidente” të tjera. Si e shihni ju bashkëpunimin ekonomik në mes të dy vendeve tona dhe si mund të përmirësohet ai?

Majko: Incidentet e “patates” dhe të “rrushit” janë për të vënë duart në kokë e për të qeshur me veten, me kohën, me këtë histori që sikur të thotë se e mira të vret po aq sa e keqja po nuk pate mendjen aty ku duhet/

Zëri: A po bën sa duhet Shqipëria për ta përkrahur Kosovën për anëtarësim në institucionet ndërkombëtare si: OKB, UNESCO, etj.

Majko: Do të ishte absurde e kundërta. Shyqyr që në UNESCO nuk diskutohet për patate dhe rrush, që të kemi probleme

Kosova nuk ka “Esat Pashë Toptana”

Zëri: Një pyetje për shqiptarët, të cilët jetojnë në Maqedoni. Nuk ka pasur ndonjë reagim zyrtar shtetëror as nga Shqipëria e as nga Kosova mbi konfliktin e Kumanovës. Pse kjo heshtje nga dy shtetet, kur aty janë vrarë dhjetë shqiptarë dhe të arrestuar ka nga Kosova dhe Shqipëria?

Majko: Ngjarja e Kumanovës ka shumë dritëhije. Pres të shoh më shumë fakte që të jap një gjykim për të. Implikimi i shërbimeve inteligjente dukshëm është në nivelin e dyshimeve, të cilat kapërcejnë imagjinatën e filmave të spiunazhit. Një gjë është e qartë se ajo që u duk fillimisht dhe e vërteta janë dy gjëra që kanë korsi të ndryshme. Maqedonia është një shtet me fat për dy fqinjët e saj, Shqipërinë dhe Kosovën. Në një rajon tjetër një zot e di si do të kishin shkuar gjërat. Tani kuptohet pse Nëna Terezë ka shtëpinë në Shkup.

Zëri: Duke e parë diskriminimin e shqiptarëve në Ballkan, a mendoni se do të jetë më pragmatike shkëmbimi i territoreve mes Kosovës dhe Serbisë?

Majko: Pragmatike?! Ka pasur në historinë e shqiptarëve një politikan “pragmatik” i kësaj natyre që luante me territoret e atdheut sikur t’ia kishte lënë trashëgim babai. Ai ishte Esat Pashë Toptani. Ky individ qëndron si turpi i historisë sonë kombëtare. Nuk ka politikanë të tillë Kosova. Asnjë! Sigurisht!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>