Avokati Naser Raufi dyshon në përgjimet e prokurorisë dhe provat e mledhura nga Lagja e Trimave se janë produkt i një AAskenari që qëllimisht kanë dashur ta paraqesin shërbimet sekrete. Ai siguron se shumë prej bisedave të përgjuara janë nxjerrë prej konteksti, disa janë ndërprerë në gjysmë, dhe disa janë hequr tërësisht nga lista e provave, dhe dyshon se pikërisht këto manovra janë bërë për të fshehur të vërtetën e rastit “Kumanova”. Raufi zbuloi në gjykatë se ekziston një person i vrarë në Lagjen e Trimave që nuk e njeh askush nga grupi i armatosur dhe kjo është edhe një fakt më shumë për të dyshuar në një inskenim.
NASER RAUFI, AVOKAT
“Unë jam edhe më tutje i bindur se ky është skenar i shërbimeve sekrete, që është një montim. Mungojnë bisedat kruciale sipas meje. Është momenti kur dorëzohet grupi i dytë, grup që sipas deklaratave të dëshmitarëve të koduar nuk janë dorëzuar. Mungon biseda ku Komandant NATO bisedon për këtë moment. Kjo bisedë është ndërprerë pa arsye, dhe kështu humbim mundësinë të konstatojmë se a janë dorëzuar këto katër persona apo kanë qenë të vrarë në konflikt, apo kanë qenë të likuiduar”
Mbrojtja është e bindur se nuk ka patur luftime më 10 maj, duke kundërshtuar policinë dhe prokurorinë e cila doli me raporte për të shtëna dhe madje pesë policë të vrarë atë ditë. Insistimi i policisë dhe prokurorisë është se me 10 maj teksa policia po bënte kontrollin e terrenit ku kishte patur luftime, dikush nga grupi kishte shtënë me armë drejtë policisë dhe aty ka filluar përleshje e cila ishte vdekje për një polic dhe për liderët e grupit.
NASER RAUFI, AVOKAT
“Personalisht si avokat mendoj se nuk ka pasur luftime më 10 maj. Kjo është punë e inskenuar nga strukturat e sigurimit…Unë mendoj se luftimet kanë mbaruar natën e 9 majit dhe më nuk ka pasur luftime. Edhe deklaratat e pjesëtarëve të shërbimit që ishin si dëshmitarë të koduar e dëshmuan se janë kontradiktore ndërmjet vete dhe sipas këtyre provave rezulton se nuk ka patur luftime më 10 maj”
Shumë nga të akuzuarit i patën thënë gjykatës se e kanë parë të gjallë Mirsad Ndrecajn dhe Beg Rizajn ditën e 10 majit dhe se atë ditë nuk është hedhur as edhe një plumb nga grupi. Disa madje përmendnin se i kanë parë të gjallë Mirsadin dhe Begun në stacion policor ku më pas janë likuiduar ndërsa Sulejman Osmani i cili po gjykohet veçmas siguronte se edhe ai e kishte parë Mirsadin të gjallë pasi kishte mbaruar konflikti dhe kishte patur vetëm një plagë në këmbën e majtë.
Raufi tha se vërtetim më shumë janë obduksionet e liderëve të grupit që nuk kanë as distancën e të shtënave dhe as orën se kur ka ndodhur vdekja edhe pse një gjë e tillë është diçka shumë e lehtë për ekspertët e mjekësisë ligjore.
NASER RAUFI, AVOKAT
“Ekziston metodë shkencore e cila me saktësi mund të vërtetojë se prej çfarë distance është vrarë ndonjë person. Është tepër e dyshimtë se pse kjo metodë nuk është përdorë në këtë rast. Kjo mund të ketë lidhje me atë që e thash se mund të ketë pasur likuidime të pjesëtarëve të grupit pasi janë dorëzuar”
Në mënyrë që të kundërshtohet kualifikimi terrorist, Raufi kërkoi nga gjykata që të merr parasysh deklaratat e banorëve lokal të cilët ishin në një vijë se i kanë parë pjesëtarët e grupi në mahallë dhe aspak nuk janë ndjerë të kërcënuar prej tyre. Kjo sipas tij është dëshmi se pjesëtarët e grupit janë pritur si heronj lufte dhe nuk kanë qenë kërcënim por mbrojtje për popullatën shqiptare madje dhe gjatë luftimeve kur policia nuk ka kursyer asgjë. Ferikan Iljazi Arifi