Baily: Rritet shqetësimi i SHBA-ve për Maqedoninë

BailyAmbasadori amerikan në Shkup Jess Baily ka deklaruar se nuk dëshiron të spekulojë se kriza politike po shndërrohet në krizë sigurie.

Ai këtë e theksoi në emisionin “Top Tema” në televizionin Telma në Shkup.

“Nuk dua të spekuloj se kriza politike po shndërrohet në krizë sigurie, por mendoj se është më rëndësi të lavdërojë reagimet e qeta të qytetarëve”, deklaroi ambasadori amerikan.

Ai ka theksuar se administrata amerikane është e shqetësuar me zhvillimet e fundit në Maqedoni

“Mendoj se ne gjithmonë kemi qenë të shqetësuar për këtë. Nëse i kthehemi deklaratave tona do të shihni se shqetësimi jonë nuk është prej sot. Mendoj se shqetësimi ynë po rritet. Ne jemi miq të Maqedonisë, jemi të impresionuar me përparimin e vendit tuaj këto 25 vitet e fundit nga pavarësia. Dëshirojmë që ta shohim vendin tuaj në BE por edhe si anëtare të NATO-s, si një vend i përparuar, me demokraci multietnike. Duke ndjekur krizën, ky është edhe qëllimi të gjithë qytetarëve që i kam takuar, pa dallime partiake, etnike apo religjioze. Ne kështu i qasemi problemit. Jemi të shqetësuar, për shkak se kriza ka dy aspektet shqetësuese: zbardhja e përgjimeve dhe se si ka ardhur deri tek sigurimi i tyre dhe çfarë përmban përmbajtja e tyre, sidomos për disa zhvillime shqetësuese në institucionet vendore”, deklaroi ambasadori amerikan.

I pyetur se a pritet përfshirja direkte e ndonjë diplomati amerikan në cilësinë e ndërmjetësuesit apo lehtësuesit, ambasadori Baily theksoi se SHBA është në kontakt me BE dhe se bashkërisht po bisedojnë për qasje të përbashkët ndaj problemeve.

“Ne dhe partnerët tanë të bashkësisë ndërkombëtare mund të lehtësojmë zgjidhjen dhe jemi të gatshëm për të. Por megjithatë mbetet që liderët e Maqedonisë dhe popullit të zgjidhin këtë krizë, të nxjerrin faktet dhe të bëjnë hapin e duhur drejt ardhmërisë e cila është e përbashkët për të gjithë”, deklaroi Baily.

Duke folur për aferën e përgjimeve dhe rastin “Puç”, ambasadori amerikan ka kërkuar një proces kredibil për zgjidhjen dhe zbardhjen e këtyre rasteve.

Sipas tij, autoritetet qeveritare duhet të ndërmarrin masat e duhura për zgjidhjen e krizës dhe se këto duhet të krijojnë bindjen tek qytetarët dhe bashkësia ndërkombëtare se bëhet fjalë për hetime të besueshme dhe në anën tjetër respektim të vlerave të BE-së dhe NATO-s.

“Unë si amerikan, mund të them se ne, në raste të ngjashme krizash, kemi pasur nevojë të sigurojmë hetim të besueshëm. Kemi pasur situata kur kanë qenë të nevojshme edhe shkarkime, lëvizje në detyrë të personave të përfshirë, kur ka konflikt interesash, pezullime, madje edhe dorëheqje. Jo me qëllim që të vërtetohet fajësia, por thjesht që njerëzit të vërtetojnë se hetimi do të zhvillohet në mënyrë të besueshme”, deklaroi ambasadori Baily në intervistën e parë në Maqedoni. (N.P/INA)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>