Ballkani Maqedoni: Nuk ka emër magjik, palët po bashkëbisedojnë

NiemitzBisedimet Shkup-Athinë me ndërmjetësimin e OKB-së zhvillohen në atmosferë pozitive, por ende pa marrëveshje. Ndërmjetësuesi i OKB-së, Niemitz: Atmosfera është e përkryer. Na duhet progres për zgjidhjen e kontestit.

Është përmirësuar klima për zgjidhjen e kontestit të emrit si te pala greke ashtu edhe te ajo maqedonase, u shpreh në Bruksel ndërmjetësuesi i OKB-së, Metthew Niemitz. Ai konfirmoi, se takimi i palëve pas tre vitesh pauzë nuk ka përfunduar me ndonjë propozim të ri dhe se nuk pritet ndonjë emër magjik, por vuri në dukje qëndrimin më pozitiv të tyre për t’i dhënë fund kontestit fqinjësor. “Atmosfera dhe dialogu mes qeverive zhvillohet pa irritime serioze. Mendoj se atmosfera është e përkryer. Na duhet progres për zgjidhjen e kontestit. Them se të dyja palët mirë e dëgjojnë njëra-tjetrën. Kanë dialog të mirë dhe i dëgjova qëndrimet e tyre konstruktive. Ka fleksibilitet të mjaftueshëm për gjetjen e një vendimi të pranueshëm për të dyja palët”, vlerësuar mediatori i OKB-së për çështjen e emrit Metthew Niemitz.

Edhe pse palët kontestuese ballafaqohen me shumë sfida, Niemitz do t’i intensifikojë negociatat në muajin janar, shkurt dhe mars.

“Fakti për vullnetin politik të zgjidhjes së këtij kontesti shumëvjeçar shihet në agjendat politike të qeverive të Shkupit dhe të Athinës, të cilat çështjen e emrit e kanë vendosur si prioritet”, thekson Niemitz.

Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev ditë më parë ka deklaruar se ka më shumë mundësi se kurrë më parë për të gjetur një zgjidhje me Greqinë dhe se duhet gjetur një zgjidhje që do të jetë e pranueshme për të dyja palët. Edhe kryeminsitri grek Aleksis Tsipras në Beograd ka thënë se në vitin 2018 do të ketë lëvizje pozitive në lidhje me kontestin e emrit, në qoftë se, siç thotë ai, Shkupi vendos të ndërmarrë hapa pozitiv në këtë drejtim.

A është folur për emër konkret?!

“Maqedonia e Re” është propozimi për të cilin do të bisedohet në Bruksel , kanë kumtuar disa media greke. Gjithnjë sipas tyre propozimi fillestar grek ka qenë “Maqedonia e Vardarit”, por tani ka ardhur deri te propozimi “Maqedonia e Re”, sikurse ishte në vitin 1992 në pakon e refuzuar atëherë.

Zaev hedho poshtë njoftimet e medieve për emrin e ri

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev u shpreh, se propozimi që Maqedonia të quhet “Maqedonia e re” është propozim i medieve.

“Me shumë gjasë ai emër është propozim i medieve. Ne nuk kemi arritur deri aty që të flasim për propozime në lidhje me emrin e Maqedonisë, ose për emra të rinj apo ngjashëm. Ajo çfarë do të flitet gjatë këtyre ditëve është vërtetimi i dëshirës së të dyja shteteve që thellësisht të hyjnë në zgjidhjen e problemit që Greqia e ka me emrin kushtetues tonin. Në takimet me ndërmjetësuesin Niemitz është verifikuar dëshira e të dyja palëve për zgjidhjen e kontestit”, dekalroi Zaev.

Atmosferë e volitshme për zgjidhjen e kontestit shumëvjeçar

Njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare thonë, se bisedimet riaktivizohen në një periudhë kur klima politike mes Maqedonisë dhe Greqisë është përmirësuar dukshëm. Bekim Kadriu ligjërues i Marrëdhënieve Ndërkombëtare pret që takimet e intesifikuara të shkrinë akullin mes dy palëve.

“Në këtë fazë nuk pritet diçka më konkrete. Brenda bisedimeve mund të ketë propozime konkrete, por për publikun do të jetë një takim i zhvilluar në një atmosferë shumë pozitive. Besoj se më shumë do të flitet për metodologjinë e vazhdimit të negociatave dhe formës se si do të duhej të duket zgjidhja që pritet të ndodhë në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm”, thotë Bekim Kadriu.

Analisti politik Nano Ruzhin vlerëson, se Shkupi dhe Athina janë më afër se kurrë drejt gjetjes së një zgjidhjeje të kontestit të emrit.

“Në Bruksel palët gjithsesi se janë fokusuar në çështje konkrete. Dhe përfundimisht të vendoset për një kornizë kohore që do të përfshinte muajt deri në qershor dhe detyrimet që do të ndërmarrin palët si në planin afatshkurtër, atë afatmesëm dhe afatgjatë, ngase zgjidhja e kontestit edhe pse hyn në fazën përfundimtare, nuk është e lehtë”, thotë Ruzhin.

Vazhdimi i negociatave për çështjen e emrit do të jetë më pragmatik në të ardhmen thotë analisti politik Albert Musliu. “Takimin e fundit e vlersoj si udhërëfyes ku janë konkretizuar procedurat e negociatave që do të jenë me një ritëm të përshpejtuar. Të dyja palët janë nën presion ndërkombëtar për të gjetur një zgjidhje të pranueshme për të dyja palët. Në të ardhmen bisedat do të jenë konkrete dhe më pragamtike dhe do ta marrin drejtimin e duhurt”, sipas Albert Musliut.

Kontesti për çështjen e emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë po zgjat më shumë se dy dekada, që nga pavarësia e Maqedonisë në vitin 1991. (dw)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>