BDI: Komuna e Tetovës shpërblen me tenderë milionëshe kompanitë e familjes Bajrami, të afërt me Lëvizjen Besa

tender 1Komuna e Tetovës shpërblen me tenderë milionëshe kompanitë e familjes Bajrami që janë të afër me udhëheqësinë komunale dhe Lëvizjen Besa. Kështu kanë reaguar sot nga Bashkimi Demokratik për Integrim, në lidhje me rastin për tenderët milionësh të Komunës së Tetovës ndaj tre kompanive: Eko-Peu, Ereu-Trans dhe Mujo Bajrami, për të cilat Portalb.mk raportoi para dy ditëve.

Nga BDI theksojnë se miliona euro nga buxheti i Komunës së Tetovës janë derdhur në llogaritë e tre firmave Eko-Peu, Ereu-Trans dhe Mujo-Bau që janë në pronësi familjes Bajrami.

tender 2“Këto firma kanë marrë tenderë ekskluzivisht nga Komuna e Tetovës dhe nga asnjë institucion tjetër. Ende më interesant është fakti që dy nga këto firma kanë vetëm nga një të punësuar, ndërsa kanë marrë miliona euro tenderë. Dyshimi rritet ende më shumë kur kuptohet se këto firma kanë veprimtari komplet të ndryshme nga punët të cilët obligohet t’i kryejnë sipas marrëveshjes së nënshkruar mes tyre dhe Komunës së Tetovës”, thonë nga BDI.

Ata theksojnë se pronarët dhe familjarët e afërt të këtyre kompanive nuk e fshehin lidhjen që kanë me udhëheqësinë e Komunës së Tetovës dhe Lëvizjen Besa duke publikuar fotografi nga mbledhje të ndryshme partiake.

“Intensiteti shkon edhe më larg kur shtojmë që shefi aktual i urbanizmit në Komunën e Tetovës është familjar dhe mik i pronarëve të kompanive të lartcekura dhe ish i punësuar në të njëjtën kompani që tani po marrin tenderë milionësh nga Komuna e Tetovës”, thanë nga BDI.

Ata akuzuan komunën për keqpërdorime dhe se shpërblen militantët partiakë, ndërsa apeluan te Prokuroria dhe Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit që të hetojë këto raste.

Nga viti 2021 e deri më sot, tenderë me shuma milionëshe nga Komuna e Tetovës kanë përfunduar në tre kompanitë tetovare në rrjetin e familjes Bajrami. Bëhet fjalë për dy kompanitë e themeluara pak para zgjedhjeve lokale të vitit 2021 dhe që figurojnë me nga një të punësuar: Shoqëria për turizëm, hotelieri dhe shërbime “Eco-Peu”, Shoqëria për ndërtim, transport, tregti dhe shërbime “Ereu-Trans”, si dhe Shoqëria për ndërtim, transport, tregti dhe shërbime “Mujo-Bajrami” të themeluar në vitin 2011. Këto kompani sipas Sistemit Elektronik për Prokurime Publike janë përftuese tenderësh ekskluzivisht vetëm nga Komuna e Tetovës. Në total, vlera e kontratave të Komunës së Tetovës me këto tre kompani është mbi 182 milionë denarë apo afër tre milionë euro. Në infografiqet më poshtë janë të gjitha tenderët në detaje.

 

“Përzgjedhja është bërë në bazë të kritereve të cilat janë konform Ligjit për ndërtim dhe kritereve të ligjit për marrjen e Licencës për realizues ndërtimi që min. nevojiten 2 inxhinierë me autorizim B dhe minimum 5 të punësuar dhe pas e-Aukcionit të realizuar është përzgjedhur oferta më e volitshme në bazë të çmimit më të lirë ku në secilën procedurë Prokurimi ka më së paku 5 ofertues”, theksuan nga Komuna e Tetovës.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami për Portalb.mk mohoi të ketë keqpërdorime në këto tenderë.

“Janë të gjithë tenderë në bazë zë procedurave të përcaktuara me ligj dhe të përcjella nga Byroja për Furnizime Publike, po të kishte diçka të dyshimtë edhe Prokuroria edhe Revizioni Shtetëror do ishin në dyert e Komunës së Tetovës, ashtu si janë çdo ditë për procedura tjera. Unë ja e shfrytëzoj rastin edhe Revizionit edhe Prokurorisë edhe çdokush që mund të ketë dyshime për keqpërdorime, Komuna e Tetovës është e hapur për bashkëpunim”, deklaroi Kasami.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>