BE paralajmëron zhvillime pozitive për Maqedoninë e V. dhe Shqipërinë

Michel PendarovskiPresidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, paralajmëroi aktivitete pozitive gjatë javës së ardhshme, sa i përket fillimit të negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut dhe të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

 

“Bashkimi Evropian është shumë i përkushtuar që Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipëria t’i fillojnë negociatat për anëtarësim në BE”, tha Michel.

Ai foli në një konferencë të përbashkët për media me presidentin maqedonas, Stevo Pendarovski, në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Në këtë qytet, të enjten dhe të premten, zhvillon punimet Forumi i Prespës për Dialog.
Maqedonia e Veriut, që nga viti 2005, është kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Edhe pse i ka hapur dyert për fillimin e negociatave të anëtarësimit në vitin 2018, Bashkimi Evropian nuk i ka nisur ende ato, as me Maqedoninë e Veriut, as me Shqipërinë.

Në rastin e Maqedonisë së Veriut, Bullgaria ka vënë bllokadë, për shkak të disa kontesteve mes dy vendeve, që lidhen me gjuhën dhe identitetin.

Për pasojë, edhe Shqipëria ka mbetur pas, sepse disa shtete të BE-së nuk duan që ajo të ndahet nga paketa me Maqedoninë e Veriut.

Michel tha se po bëhen “të gjitha përpjekjet që të gjendet një zgjidhje e përbashkët e pranueshme për të dyja palët” – Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë.

“Unë jam i kyçur në këtë bashkë me Francën dhe Bashkimin Evropian dhe dëshirojmë ta ndihmojmë këtë proces që të ecë përpara. Jam i bindur se së shpejti do të ketë një zhvillim shumë pozitiv, që do të jetë shumë i rëndësishëm për vendin tuaj dhe mbarë rajonin”, tha Michel, pa specifikuar më shumë.

Pendarovski, në anën tjetër, tha se stërzgjatja e procesit integrues të Maqedonisë së Veriut lëkund besueshmërinë e Bashkimit Evropian.

“Kushtëzimi i një vendi anëtar [Bullgarisë] kundrejt një vendi kandidat për anëtarësim [Maqedonisë së Veriut] – në aspektin bilateral – nuk paraqet vetëm shkelje flagrante të premtimit për të ardhme evropiane për vendet e Ballkanit, por mund të komprometojë tërësisht politikën për zgjerim dhe të shndërrohet në një precedent të rrezikshëm, duke i dhënë fund këtij procesi, i cili me vite llogaritet si politika më e mirë e jashtme e Bashkimit Evropian”, tha Pendarovski.

Duke folur në një konferencë për media para fillimit të Forumit të Prespës për Dialog, ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, tha se nuk do ta komentojë propozimin e Francës për tejkalimin e dallimeve mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, para se ky vendim të koordinohet mes 27 vendeve anëtare të BE-së.

“Qëndrimet tona për një propozim të Presidencës franceze do t’i japim pasi që ai të jetë shpërndarë ndërmjet vendeve anëtare… Mendojmë se kjo është mënyra më e drejtë për të komunikuar vërejtjet tona – në atë moment kur ta dimë se ky është qëndrimi i 27 vendeve anëtare”, tha Osmani.

Mëngjesin e së enjtes, mediat bullgare njoftuan se kryeministri i Bullgarisë, Kiril Petkov, do të shpërndajë te vendet e BE-së propozimin francez për heqjen e vetos bullgare ndaj Republikës së Maqedonisë së Veriut – që do t’i hapte rrugë fillimit të bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian – por detaje të tjera rreth propozimit nuk u dhanë.

Këtë vit, tema e Forumit të Prespës për Dialog është: “Ndërtimi i së ardhmes së Ballkanit Perëndimor në arkitekturën moderne evropiane të sigurisë”.

Nga Kosova merr pjesë presidentja Vjosa Osmani, ndërsa të pranishëm do të jenë edhe presidentët apo kryeministrat e Sllovenisë, Serbisë dhe Malit të Zi. Nga Serbia, pjesëmarrjen e ka konfirmuar kryeministrja e këtij vendi, Ana Bërnabiq.

Nga personalitetet ndërkombëtare marrin pjesë: kryetari i Këshillit Evropian, Charles Michel, komisionari i Bashkimit Evropian për Zgjerim dhe Fqinjësi të Mirë, Oliver Varhelyi, i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, nënsekretarja e përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, Rosemary DiCarlo, si dhe sekretarja e përgjithshme e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Helga Schmid.

Personalitete nga komuniteti akademik, biznesi, media dhe sektori qytetar do të marrin pjesë po ashtu.

Forumi i Prespës për Dialog, këtë vit, përkon me katërvjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Prespës, e cila i ka dhënë fund një kontesti për emrin midis Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë.

Marrëveshja e Prespës, e cila është nënshkruar më 17 qershor të vitit 2018, i ka hapur më pas rrugë anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO.

Sipas autoriteteve në Shkup, Forumi i Prespës për Dialog paraqet një platformë për t’i mbrojtur, promovuar dhe kanalizuar përfitimet e marrëveshjeve politike.

Por, në opinionin publik ka mendime të ndara nëse Marrëveshja e Prespës, krahas largimit të bllokadës për anëtarësim në NATO, i ka hapur edhe perspektivat e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut.

Partia opozitare maqedonase, VMRO-DPMNE, vazhdimisht kritikon pushtetin për ndryshimin e emrit të shtetit – nga Maqedoni në Maqedoni e Veriut – pa marrë garanci nga komuniteti ndërkombëtar për integrimin evropian.

Vasko Naumovski, ish-zëvendëskryeministër për Çështje të Integrimeve të Maqedonisë së Veriut, thotë për Radion Evropa e Lirë se Marrëveshja e Prespës i ka zhgënjyer qytetarët.

“Tani, disa vite më vonë, ne shohim se të gjitha ato pritje ishin joreale, gjë që në formë plotësuese e përforcon ndjenjën e frustrimit te qytetarët e Maqedonisë së Veriut, dëshpërimin nga procesi i përgjithshëm i integrimeve”.

“Nëse edhe më tej mbetet e paqartë perspektiva evropiane, vlerësoj se do të përforcohen të gjitha tezat se Marrëveshja e Prespës duhet të pësojë adaptime të caktuara”, thotë Naumovski.

Maqedonia e Veriut, që nga viti 2005, është kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Edhe pse ka hapur dyert për fillimin e negociatave të anëtarësimit në vitin 2018, Bashkimi Evropian nuk i ka nisur ende ato, as me Maqedoninë e Veriut, as me Shqipërinë.

Në rastin e Maqedonisë së Veriut, Bullgaria ka vënë bllokadë, për shkak të disa kontesteve mes dy vendeve, që lidhen me gjuhën dhe identitetin.

Për pasojë, edhe Shqipëria ka mbetur pas, sepse disa shtete të BE-së nuk duan që ajo të ndahet nga paketa me Maqedoninë e Veriut.

Forumi i Prespës për Dialog është lansuar vitin e kaluar si platformë për ndërtimin e mirëbesimit dhe dialogut politik ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë.

rel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>