Bashkimi Evropian dhe SHBA-të kanë shprehur qëndrim unik mes të cilit kërkohet zbatim i marrëveshjes mes partive politike, që të sigurohen zgjedhje të drejta dhe demokratike. Ndërkombëtarët kërkojnë që medoemos të zbatohen edhe reformat urgjente prioritare.
“Udhëheqësit politikë të këtij vendi kanë përgjegjësi ndaj qytetarëve për të vënë vendin e tyre përsëri në rrugën euro-atlantike, duke zbatuar marrëveshjet politike dhe reformat urgjente prioritare. Disa përparime janë bërë në këtë sferë, por mbetet punë e konsiderueshme për t’u bërë. Kjo është përgjegjësi jo vetëm e institucioneve shtetërore për të përgatitur zgjedhje të besueshme, por edhe të partive politike. 6 Prilli ishte një mundësi e humbur”, thuhet në letrën e ambasadorëve.
Në letrën e ambasadorëve thuhet se komuniteti ndërkombëtar nuk do të ndalojë në asnjë moment t’i ndjekë me kujdes zhvillimet politike përfshirë procesin zgjedhor.
“Ne përgëzojmë punën e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, si dhe përpjekjet e shoqërisë civile, në avancimin e këtij qëllimi. Ne do të ndjekim nga afër zhvillimet dhe do të vazhdojmë të japim pikëpamjet tona, thuhet në letrën e ambasadorëve të BE-së dhe SHBA-ve”, thuhet më tej në letrën ambasadorëve.
Edhe përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme, Federika Mogerini ka bërë thirrje për zbatim të plotë të marrëveshjes së Përzhinës dhe reformave urgjente prioritare.
“Së bashku me SHBA-në i mbështesim të gjitha partitë dhe palët e prekura në këto përpjekje dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë edhe në javët e ardhshme kyçe. U bëjmë thirrje të gjitha partive që të mbeten tërësisht të përkushtuara në procesin e rënë dakord”, deklaroi Federika Mogerini , përfaqësuese e lartë e BE-së
Reagimet e ndërkombëtarëve vijnë pas paralajmërimit të LSDM-së për mos pjesëmarrje në zgjedhjet e qershorit dhe pas thirrjes për bashkim në një platformë qytetare e cila do të kundërshtojë mbajtjen e zgjedhjeve pa zbatim të plotë të kushteve të rëna dakord në marrëveshjen e Përzhinës.
Krenar Sadiku