Autori francez, Max Choublier, siç e ka pohuar edhe vetë, ka qëndruar në tokat shqiptare për tetë vjet, gjegjësisht prej vitit 1904 deri më 1912. Në vjeshtën e vitit 1905 ai e kishte vizituar Teqenë e Tetovës dhe me këtë rast nuk mungojnë as imazhet nga vizita dhe mikpritja që i është bërë atij në këtë qendër me ndikim në atë kohë. Shkrimi i Max Choublier “Bektashinjtë e Rumelisë” u botua në revistën “Revue des Etudes İslamiques” në vitin 1927. Versioni që po ua sjellim lexuesve është i shkurtuar, ndërsa titujt dhe nëntitujt janë të Skënder Latifit që e ka përgatitur këtë shkrim
Në Teqenë e Tetovës në vjeshtën e vitit 1905
Gjatë tetë vjetëve të qëndrimit midis Shkupit, Selanikut dhe Manastirit, nga viti 1904 deri në vitin 1912, kam pasur në shërbim disa gavazë shqiptarë – bektashinj. Ashtu porositesha që t’i merrja me vete në udhëtimet e mia në Shqipëri. Qysh në fillim prej tyre i mësova detajet karakteristike që i dallonin bektashinjtë nga myslimanët e tjerë, pasi ata kurrë nuk bënin lutje në kohët e caktuara, më pastaj ata me dëshirë përziheshin me të krishterët. Emrat e tyre ishin Alids, Ahmed, Ali, Hasan, ose mbanin emra të krishterë, si Nikollas, Kristo e të tjerë. Sa i përket qëndrimit rreth ngrënies së mishit të lepurit, ata nuk dallonin nga myslimanët shiitë… Por familjariteti i menjëhershëm, vëllazëria e vërtetë që i bashkonte bektashinjtë e mi nuk mund të vëreheshin në jetën e qyteteve, përkundrazi gjatë udhëtimeve jashtë tyre atëherë këto veti vëreheshin në çdo moment dhe te çdo pjesëtar bektashi që unë e takoja. Siç dihet fuqia apo pushteti turk në Shqipëri kanë dominuar vetëm nominalisht. Larg turkut, në fshatrat e tij, shqiptari jetonte me armë në krah, pa njohur asnjë autoritet tjetër përveç të prijësit të tij.
Forma e këtij feudalizmi ishte mjaft demokratike, sidomos te krerët e vegjël të cilët komandonin së paku me njëzet apo njëqind pushkë. Ndërsa feudali shqiptar jetonte në kullën e tij katërkëndore, që në fakt ishte më e mbrojtura në fshat, por ai jetonte me të njëjtën mënyrë të jetese ashtu sikur që jetonin edhe vasalët e tij. Dallonin vetëm veshjet e feudalit shqiptar dhe ato ishin paksa më të pasura, më pastaj ai e kishte kalin më të fortë dhe armët e tij ishin shumë më të bukura e të stolisura…
Një mbrëmje, kur mbërrina në Shtip (Maqedoni e Veriut v.j.), ku kisha arsyet e mia për të refuzuar mikpritjen që ma afroi beledia myslimane, por edhe fisnikët e krishterë, unë megjithatë, e dëgjova gavazin tim dhe shkova te njeriu që pretendohej se ishte përfaqësuesi i Haxhi Bektashit, shenjtorit mbrojtës të udhëtarëve. Trokita në derën e teqesë dhe aty më pritën në mënyrë të mrekullueshme. Baba, një plak i shëndoshë me mjekër të bardhë, vrapoi të vishte rrobën e tij të leshta… Të nesërmen ai ma vendosi në dispozicion të gjithë komunitetin, duke më treguar parcelat e perimeve të ujitura mirë që ai kultivonte me duart e veta, duke më bërë të shijoja frutat e kopshtit dhe u ndjeva shumë i joshur nga përulësia që ai e manifestoi ndaj meje…Prandaj nga simpatia e fituar, në vijim i vizitova të gjitha teqetë tjera bektashiane, u miqësova shpejt dhe kontaktova me bektashinjtë e Shtipit, dhe të Shkupit në Maqedoni, ndërsa në Shqipëri me ata të Tetovës dhe Prizrenit. Pikërisht në vitin 1909 takova Aliun, Babën, ose siç e quanim ne “Babagjyshin”, nga Teqeja e Tetovës…
Vizitat e mia në teqe gjatë vjeshtës së vitit 1905 zgjatën pesë ditë. Teqeja ishte e mbështjellë me gjethe të zverdhura dhe ajo u ofrua si vendbanimi i qetësisë dhe paqes. Ndërtesat dhe pemishtja ngjitur ishin të rrethuar me mure të larta dhe dera e vetme me pamje nga një ballkon e formonte një tarracë me një korridor të rrethuar nga dy ndërtesa kryesore. Dera e vrimës së portierit zbuloi pesë ose gjashtë pushkë të llojit “Martini-Henry” të vendosura në raft pranë një pushke tjetër të madhe e të vjetër, e cila në fakt nuk përdorej më. Më pas gjithçka ishte relaksim, rregull dhe pastërti. Në të majtë të hyrjes, një pavijon me pamje nga një minare katrore shërbente si dhomë mbledhjesh dhe lutjesh, përballë një shtrati me bar dhe shkurre trëndafili që kufizoheshin me dy pellgje, ndërsa stërqokat e zbutura ishin të palëvizshme dhe thuajse ishin thelluar aq shumë në mendime. Rreth këtyre shtretërve me lule ishin shtëpizat e banuara nga baballarët bektashi. Përballë asaj më të madhes, rezidencës së Ali Babës, ishte një verandë e cila shikonte kah pishinat, ndërsa një pjesë e murit nën verandë ishte zbukuruar me një mbulesë prej balte me ngjyra. Këtu qëndronte baba, i strukur mbi lëkurën e qengjit të bardhë ritual, që nga lindje e deri në perëndim të diellit. Prej andej ai ruante botën e tij të vogël, me disa baballarë – vëllezër dervishë dhe me pesë apo gjashtë fillestarë, bashkangjitur këtu edhe rreth dhjetë shërbëtorë të tjerë. Dervishët jetonin nga dy ose tre në shtëpiza të veçanta dhe dukej se pjesën më të madhe të kohës e kalonin në vetmi, duke qenë gjithnjë të zënë, besoj me rregullat e rendit, me detyra të vogla manuale. Unë u vendosa në një pavijon afër dhomës ku më priti Baba Aliu. Katin përdhesë, me kuzhinë, e zinin përcjellësit e mi, ndërsa një dhomë e madhe formonte të parën dhe shërbente njëkohësisht si dhoma ime e gjumit, dhomë e ditës por edhe te ngrënies, sepse, teorikisht, haja vetëm. Në mëngjes, një pjesë e bektashinjve shkuan për të punuar pronat përreth, të tjerët çuan bagëtinë e teqesë në fushat fqinje dhe secila prej bagëtive e kishte ballin e ngjyer me kanë, qafat e rrethuara me rruaza blu dhe të gjitha këto ishin bërë me të vetmin qëllim që ato të mbroheshin nga syri i keq. Bektashinjtë i ndanin këto besëtytni lokale në vetë arat që i përkisnin teqesë, ndërsa objekti i teqesë së Tetovës mbrohej gjithashtu nga syri i keq, pasi në fund të një shtylle që e kurorëzonte portën mbyllëse ishte vendosur një kafkë e një kali apo e një kau të mbërthyer mirë mbi portë. Nga ana tjetër, deri te portat e teqesë shtriheshin trungjet e arrave.. Megjithatë, trungjet e arrave nuk pëlqeheshin edhe aq prej shqiptarëve dhe ata rrallëherë i toleronin ato pranë shtëpive të tyre, duke qenë të bindur se nën hijet e arrave banonin shpirtrat e këqij. Dëgjova të thuhej shpeshherë se kushdo që bie në gjumë nën hijen e ndonjë arre, rrezikon të verbohet ose, së paku, të përfshihet prej etheve vdekjeprurëse, sepse dy demonët me origjinë sllave, Samo Divi dhe Samo Vili i ushtronin magjitë e tyre të liga nën hijen e arrave. Drejt arrave të fundit, treqind metra larg teqesë në anën e malit, gjendeshin disa varre të ruajtura me kujdes, përfshirë edhe ata të shenjtorëve të nderuar dhe ku çdo natë shkëlqente drita e vajit të shenjtë. Teqeja mirëmbahej me kujdes, ndërsa pastërtia ishte në nivelin më të lartë. Po ashtu, edhe dervishët ishin të pastër në mënyrë të përsosur. Në kostumet e tyre të përditshëm asgjë nuk i dallonte ata nga myslimanët e tjerë: opinga të bëra prej lëkure dhie të qepura dhe të kthyera nga brenda, pantallona të gjera ose pantallona të lidhura me kopsa në këmbë, xhaketat e shkurtra të mbështjella sipër ijëve, këmishët e fryra, kapelat e rrethuara nga një rrip ngjyrë bardhë të mbështjella me çallmë. Gatimet e tyre ishin edhe gatimet e zakonshme shqiptare: meli i gatuar, buka e spërkatur me fara lulekuqeje, orizi ose yndyra, frutat e freskëta dhe të thata, peshku i thatë, mishi i deleve ose i dhive, kosi, ndërsa si pije konsumoheshin uji, boza (birrë meli), kafeja. Në ditët e festës këtu shtoheshin pjatat e ëmbla, ajka e orizit me copa pule, seria e squfurave dhe pjata e tyre e preferuar: ashureja, krem meli me fruta të thata, të servuara në kazanë të plotë. Në festën e përvitshme të Haxhi Bektashit në teqe vinin jo vetëm anëtarët e degës së rendit, por të gjithë fshatarët e fshatrave fqinjë që ishin në kontakt me teqenë dhe ata ftoheshin për festë pa dallim feje. Dervishët që jetonin në teqe ishin beqarë; ndërsa në vetë qytetin e Tetovës jetonin disa dervishë, të martuar deri në kohën para se të bënin betimin dhe ata dukeshin këtu vetëm në kohën e kremtimit të festave dhe në kohën e shërbesave, një praktikë e përdorur edhe te dervishët mevievitë të Selanikut, të cilët nëse ishin të martuar dhe ushtronin ndonjë zanat apo ishin tregtarë të vegjël, po ashtu jetonin në qytet, por megjithatë për çdo javë merrnin pjesë në mbledhjet e rendit të tyre.
Shkrimi i Max Choublierit “Bektashinjtë e Rumelisë” u botua në revistën “Revue des Etudes İslamiques” në vitin 1927
Prodhimi i pushkëve “Martini-Henry” në Tetovë
Në mesin e bektashinjve kishte fshatarë shqiptarë, pronarë të vegjël, që në të gjitha karakteristikat u përngjanin, fshatarëve të Francës që zotëronin njëzet, por edhe deri në gjashtëdhjetë hektarë tokë, ndërsa në mesin e këtyre ishin përfshirë edhe disa tregtarë apo zejtarë nga Tetova, shumica prej tyre prodhues pushkësh. Prodhimi dhe shitja e këtyre pushkëve ishte për kureshtje, sidomos nëse shihej mënyra se si dikur ato pushkë ishin punuar prej vetë bektashinjtë e teqesë dhe në të kaluarën për vetë organizatën e tyre ndoshta edhe vetë Teqeja e Bektashinjve në Tetovë nuk ishte e huaj për ta. Prodhimi i armëve ishte i organizuar në një rrugë dyqanesh me tenda të hapura. Artizani punon atje i strehuar, por në ajër të hapur. Shufrat e hekurit, të përafërt në dyqanin e parë, shpohen në të dytin dhe operacionet për përpunimin e hekurit dhe drurit e ndjekin ashtu njëra-tjetrin deri në punishtet e fundit ku bëhet montimi i pushkëve. Në fund blerësi e gjen pushkë luftarake të tipit “Martini-Henry”… Disa bejlerë nga rrethina, që thuhej se ishin të lidhur me rendin e teqesë, në fakt ishin në lidhje të drejtpërdrejtë me idetë dhe interesat e Teqesë së Tetovës. Me sa duket, ata kujdeseshin shumë pak për ndonjë praktikë fetare. Megjithatë, ata që unë i njihja angazhoheshin në mënyrë të njëjtë për prosperitetin e vendit të tyre ashtu siç përpiqej edhe vetë Ali Baba. Sipas shprehjes që përdoret zakonisht (në tokat shqiptare S. L.) dikush prej tyre komandonte me njëqind e dikush me dyqind pushkë. Më i fuqishmi, Rustem Kabashi, komandonte me dy mijë pushkë. Miqtë e bektashinjve mblidheshin në teqe, ndërsa vetë baballarët dilnin shumë rrallë jashtë mureve të saj, pra tani gjithçka ishte ndryshe nga zakonet e tyre të kaluara. Në të kaluarën, ata vizitonin qytete dhe fshatra, duke mbledhur ndihma për teqenë nën thirrjen e Shehid Ullahut, më pastaj interpretonin ëndrrat dhe i kuronin të gjitha sëmundjet duke i bërë njerëzit të pinin ujë në një filxhan bakri, metali magjik, i zbukuruar, me karaktere kabaliste.
Kryengritjet për Shqipërinë e pavarur
Dje, shkova në shtëpinë e eprorit të teqesë në kohën e perëndimit të diellit. Babanë e gjeta të vetmuar dhe të strukur mbi lëkurën e qengjit, ndërsa më vonë aty na sollën kafe, cigare, reçel. Më pastaj në heshtje, njëri pas tjetrit, hynë disa vizitorë, duke përfshirë edhe baballarët e teqesë dhe pas përshëndetjeve po ashtu në heshtje, ata u ulën në vendin e tyre hierarkik në divanin që kalonte nëpër dhomë. Ata qëndruan aty dy–tri orë dhe rrallëherë iu bashkëngjitshin bisedës që zhvillohej përtej gjërave të parëndësishme. Në këtë kohë Maqedonia u shqetësua sidomos nga propaganda e armatosur e bullgarëve, serbëve dhe grekëve, ndërsa Shqipëria nga intrigat e bejlerëve të mëdhenj, në realitet të pavarur nga Sulltani por duke u pasuruar në kurriz të tij… Në mes të këtij çrregullimi, ndër aspiratat kombëtare që kërkonin të realizoheshin, më e heshtura, e kufizuar në numër, dhe me mjete, por gjithsesi e sinqertë dhe solide ishte ajo e krijimit të një Shqipërie të pavarur. Përfaqësuesit e këtij atdheu shqiptar u përkisnin thuajse ekskluzivisht bejlerëve të vegjël dhe shtresës së mesme nga e cila rekrutoheshin bektashinjtë. Njëherësh tek Ali Baba u gërshetuan fijet e intrigave të ngritura nga partia kombëtare në lindjen e saj. Në Teqe, bejlerët besnikë të Sulltanit, armiq të Austrisë dhe të mbështetur nga qeveritarët turq, gjetën një frymë shqiptare që i pranoi ata bashkë me bashkëpunëtorët duke punuar fshehurazi deri në atë masë në të cilën ata e fituan pikën e mbështetjes. Në bisedë me mua, Ali Baba u interesua vetëm për këto çështje dhe e kuptoi mirë kureshtjen time për porosinë e tij. Mirëpo, në mbrëmje, duke shijuar “franzous gazose”, kështu e quajti shampanjën që unë e shoqërova, ai me kënaqësi pushoi duke filozofuar. Është e njohur se persianëve u atribuohet mënyra e diskutimit të çështjeve të fesë së tyre në mënyrë tallëse, të cilën, ndoshta me më shumë rezervë, e kam hasur te bektashinjtë shqiptarë. Dikush do të kishte thënë se ata madje ishin të detyruar të shfaqin respektin e tyre për të vërtetat dhe në anën tjetër këtë kufizim e kompensonin me ironizime mjaft të maskuara, për të mos qenë të qortueshëm për sjellje të tilla. Në fillim të marrëdhënieve të mia me ta, teksa mirëbesimi u rrit më pas, pyesja veten nëse liberalizmi absolut që ata përcillnin me të njëjtën buzëqeshje nuk ishte një maskë e dytë e vendosur në të njëjtën fytyrë? Ata ruanin heshtje absolute për jetën e brendshme të rendit të tyre, pastaj në disa raste më kishte rastisur që të shihja momente shqetësuese fanatizmi, të papritura, që lindin gjithmonë në kontaktet e përditshme me qytetërime të ndryshme, mirëpo detyrimisht duhet të behej shmangia e çdo interpretimi të nxituar. Në përgjithësi miqtë e mi bektashinj dukeshin si njerëz të shkëlqyer dhe më duhet pranuar se ata kujdeseshin pak për çështjet fetare.
Bektashinjtë nën dioptrinë e kohës
Megjithatë, dukej se bektashinjtë kurrë nuk e ofenduan për reputacionin që e gëzonin, marrë parasysh edhe anekdotat e pandershme që qarkullonin për ta. Kleri mysliman i Maqedonisë pak a shumë i trajtoi bektashinjtë si të pafe. Z. Massignon i shtroi Kongresit të Historisë së Religjioneve të vitit 1923 pyetjen për të ditur saktësisht se çfarë ishte marrëdhënia e tyre me mevlevitë. Nuk besoj se në Maqedoni kanë ekzistuar të dy urdhrat. Përsosmërisht të sjellshëm, mevlevitë ishin më komunikues, madje edhe për besimet apo ritet e veçanta të rendit të tyre, sesa bektashinjtë. Bile nuk dukej se mevlevitë i merrnin shumë seriozisht të gjitha këto rite. Një ditë, pasi mora pjesë në një seancë, i kërkova Shehut të tyre të më shpjegonte kuptimin e praktikave përfundimtare që dukeshin mizore, ai u përgjigj se me përvojë shumica prej tyre nuk shkaktojnë asnjë dhimbje dhe ai më propozoi që edhe unë ta shpoja faqen time që të mund ta ndieja veprimin në praktikë. Më pas ai e praktikoi të njëjtin veprim te djali i tij, duke zgjedhur me kujdes vendin, duke e shtrënguar mishin mes gishtit të madh dhe atij tregues, me pak fjalë, duke më treguar se si të veproja edhe unë. Në anën tjetër, bektashinjtë nuk patën kurrë një liri të tillë me mua në lidhje me ndonjë gjest që ndikonte në adhurimin e tyre, megjithëse ata ishin shumë më të afërt me të krishterët dhe më pak të lidhur me Islamin sesa me Mevlevitë.
koha