Betohet ambasadorja amerikane në Maqedoninë e Veriut

ambasadorja USA ne RMAmbasadorja e re e Shteteve të Bashkuara në Maqedoninë e Veriut, Kate Byrnes, u betua të hënën mbrëma në një ceremoni në Departamentin amerikan të Shtetit.

Ndihmës sekretari në detyrë për çështjet e Evropës dhe Euroazisë, Philip Reeker, i cili po ashtu ka shërbyer më parë si ambasador në Shkup, theksoi me këtë rast se ambasadorja Byrnes “do të shënojë një epokë të re në bashkëpunimin e dyanshëm, si miq dhe aleatë me Maqedoninë e Veriut”.

Miq, familjarë dhe kolegë të ambasadores Byrnes, dhe disa prej ambasadorëve që kishin shërbyer më parë në Maqedoninë e Veriut ishin të pranishëm në ceremoni. Zonja Byrnes pritet së shpejti të udhëtojë në Shkup për ta marrë detyrën e ambasadores amerikane.

Zonja Byrnes u konfirmua në këtë post muajin e kaluar në Senatin amerikan, ndërsa ishte emëruar vitin e kaluar nga presidenti Donald Trump.

Ajo është diplomate e karrierës dhe deri tash kishte shërbyer si zëvendës ambasadore në Athinë. Me parë, zonjë Byrnes kishte shërbyer në Vjenë si përfaqësuese e Misionit të Shteteve të Bashkuara në Organizatën për Siguri e Bashkëpunim në Evropë.

Zonja Byrnes do të zëvendësojë ambasadorin e deritashëm në Shkup, Jess Baily, i cili është larguar disa muaj më parë gjë që sipas shumë analistëve e politikanëve në vendin e vogël ballkanik, kishte krijuar boshllëk në një periudhë kur pushteti dhe opozita në Maqedoninë e Veriut nuk po munden të gjejnë një gjuhë të përbashkët lidhur me një sërë çështjesh që kanë të bëjnë në radhë të parë me të ardhmen e Prokurorisë së Posaçme por dhe me sundimin e ligjit në përgjithësi.

Zonja Byrnes gjatë seancës së konfirmimit muajin e kaluar kishte theksuar se do të jetë e përkushtuar ndaj forcimit të marrëdhënieve me Maqedoninë e Veriut si partner strategjik, ndërsa kishte theksuar se marrëveshja e Prepës e arritur ndërmjet Shkupit dhe Athinës lidhur me emrin, kishte tejkaluar një pengesë historike dhe zbatimi i saj është i rëndësishëm për rajonin.

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>