Lideri i Lidhjes Socialdemokrate dhe i opozitës maqedonase Zoran Zaev do të vazhdojë sot me publikimin e audio-përgjimeve, me dëshmi të reja për veprimet e paligjshme të kryeministrit Nikolla Gruevski dhe bashkëpunëtorëve të tij.
Zaev, pas takimit të djeshëm të liderëve të katër partive më të mëdha të Maqedonisë, tha se “bombën” e radhës do ta publikojë para Qeverisë, aty ku, që nga protesta e madhe antiqeveritare e 17 majit, tashmë 10 ditë gjendet kampi me protestuesit të cilët kërkojnë dorëheqjen e Gruevskit dhe kabinetit të tij.
Sipas paralajmërimeve, sot mund të bëhen publike malverzimet e pushtetit rreth mbylljes së televizionit A1 dhe burgosjes së pronarit dhe drejtuesve të tij.
Ndër ngjarjet për ndriçimin e të cilave është paralajmëruar publikimi i “bombave” shumë shpejt, është edhe rasti i Liqenit të Smilkovës, nga prilli i vitit 2012. Fjala është për vrasjen e pesë maqedonasve, nga të cilët katër të rinj të moshës 18 deri 21-vjeç, rast ky në të cilin, në të ashtuquajturin proces “monstra” u dënuan shqiptarë me burg të përjetshëm.
Opozita, para fillimit të publikimit të materialeve komprometuese për Gruevskin me bashkëpunëtorë, paralajmëroi se ka përgatitur 102 dosje me audio-përgjime. Deri në ngjarjet e 9 majit në Kumanovë u publikuan 33 sosh, që deri tani kanë rezultuar me dorëheqjet e ministres së Brendshme Gordana Jankullovska, atij të Transportit Mile Janakievski dhe shefit të DSK-së Sasho Mijallkov. (alsat)