Skënder Krasniqi, babai i Muhamet Krasniqit – Komandant Malishevës gjithashtu ka shprehur shqetësime për skenaret dhe lajmet e lansuara për gjoja tentimit e vetëvrasjes së djalit të tij në burgun e Prilepit. Të afërm të Skënder Krasniqit kanë theksuar se lajmi është pritur me shqetësim të madh dhe se është kërkuar menjëherë ndërhyrja e avokatëve mbrojtës, por edhe faktorëve ndërkombëtarë.
Skënder Krasniqi, babai i Muhamet Krasniqit – Komandant Malisheva pas ngjarjeve të Kumanovës kishte deklaruar se djali i tij gjithnjë do të shkonte në Maqedoni në mbrojtje të shqiptarëve atje.
Megjithatë ai në një intervistë për Interaktiv kishte deklaruar se dyshon që kjo që ka ndodhur ka të bëjë me një tradhti nga ana e Ali Ahmetit dhe se luftëtarët atje kanë rënë në kurthin e tij.
“Ky është terror i shtetit. Është terror i Gruevskit dhe Ali Ahmetit. Unë jam i bindur se Ali Ahmeti ka tradhtuar. Për maqedonasit të mos flas pasi ata gjithmonë kanë bërë thirrje për vrasjen e shqiptarëve”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se shqiptarët e Maqedonisë që nga viti 2001 janë të rrezikuar dhe se që nga ky vit ata janë mashtruar vazhdimisht nga maqedonasit.
Skender Krasniqi është shprehur i bindur se djali i tij nuk bënë pjesë në grup terrorist.
“Le të merret drejtësia me ato çështje mirëpo djemtë nuk bëjnë pjesë në asnjë grup terrorist. Ky nuk është grup terrorist. Nëse do të ishin ata do të tmerronin popullatën. Do të kidnaponin njerëz për ta shpëtuar veten, po mendoj unë. Është e pakuptimtë të thuhet se ata kanë shkuar për para. Mua sot, që ndoshta s’i kam edhe 5 vjet jetë me më thënë a po shkon me vdek për 10 milionë nuk shkoj, e lere më ata”, ka përfunduar ai. (INA)