Kryeministri grek Aleksis Cipras i ka bërë një telefonatë homologut të tij maqedonas Zoran Zaev dhe siç njofton kabineti i zotit Cipras, duke thënë se ai e ka uruar homologun e tij Zaev për marrjen e postit të kryeministrit. Ndërkaq, bëhet e ditur se Cipras ka përsëritur qëndrimet e qeverisë greke në lidhje me çështen e emrit të Maqedonisë, ndërsa është biseduar edhe për synimet e Maqedonisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe në NATO.
Cipras dhe Zaev kanë folur për çuarjen përpara të marrëdhënieve midis dy vendeve fqinje, për masat e mirëbesimit që i kanë vlerësuar si më se të rëndësishme, si dhe për zhvillimet e përgjithshme në rajon.
Dy kryeministrat pritet të kenë një takim gjatë këtij muaji. Ministri i jashtëm grek Nikos Koxias para një jave e ftoi kolegun e tij të ri maqedonas Nikolla Dimitrov për vizitë në Athinë.
Telefonata e kryeministrit grek Aleksis Cipras dhe ftesa e krye-diplomatit Koxias, në Shkup shikohen si një shenjë e mirë e hapjes së komunikimit midis dy qeverive duke ushqyer shpresat për qetësimin e marrëdhënieve të ngarkuara prej vitesh midis dy vendeve fqinje.
Greqia nuk e njeh Maqedoninë me këtë emër por me referencën FYROM, apo Republika Ish-Jugosllave e Maqedonisë që ia ka imponuar një numri të madh shtetesh dhe organizatave si Bashkimi Evropian dhe NATO t’i drejtohen asaj me këtë emër.
Nga ana tjetër, shqetësimi i Maqedonisë apo i pushteteve të saj përgjatë viteve se populli maqedonas do të mund të humbaste identitetin e vetë nëse do të ndryshohej emri i vendit, ka çuar në bllokimin e tij kundrejt strukturave si B.E. dhe NATO.
Qeveria e mëparshme e nga VMRO-DPMNE zbatoi një fushatë që u cilësua si provokative ndaj Greqisë, me emërtimin e shesheve, stadiumeve, rrugëve, etj. me emra të historisë së lashtë që Athina i cilëson si pjesë e trashëgimisë së saj kulturore e historike.
Kryeministri i ri maqedonas sipas njohësve të rrethanave politike në Shkup, pritet të ndjekë një tjetër qëndrim, ndryshe nga pararendësi i tij. Ai ka paralajmëruar se në bisedimet rreth emrit do të përfshijë edhe opozitën dhe kompromisi eventual për emrin do të hidhet në referendum.
Ndërmjetësimi i Kombeve të Bashkuara për më tepër se njëzet vjet nuk ka dhënë ndonjë rezultat në kapërcimin e dallimeve midis dy vendeve të Ballkanit.
Ambasadori amerikan në Shkup, Jess Baily e ka përshëndetur nismën për bisedime duke thënë se është mirë që Maqedonia zhvillon bisedime me Greqinë dhe me vendet tjera fqinje.
“SHBA-të gjithmonë e kanë mbështetur dhe do ta mbështesin Maqedoninë në rrugën drejt NATO-së dhe BE-së”, tha ambasadori duke shtuar se “Duhet biseduar me Qeverinë e re si dhe me gjithë faktorët e tjerë në shoqëri edhe me opozitën për hapat që duhet të merren. Ky është një proces që përfshinë gjithë shoqërinë dhe shtetin në përgjithësi. I gjithë shteti duhet të bashkohet rreth kësaj që të arrihet zgjidhje”,është shprehur ambasdori Baily të mërkuren pas një takimi mbi çështje të biznesit.(voa)