Qeveria jep shpresa të rreme për datën e fillimit të negociatave me Bashkimin Evropian, vlerëson opozita, shkruan Alsat.
Sipas tyre, një dështim tjetër i mundshëm në qershor do të jetë një dëshpërim tjetër i madh. VMRO-DPMNE-ja thotë se gënjeshtrave mund t’u jepet fund me zgjedhje të parakohshme.
“Dëshpërimi më i madh nga kjo qeveri është që i gënjen qytetarët dhe u jep shpresa të rreme. Të paktën pesë herë i ka gënjyer se shkon ta marrë datën për negociata dhe përsëri asgjë. Vetëm i gënjejnë qytetarët. Kjo qeveri vetëm vjedh popullin dhe ata, pavarësisht a është Zaevi ose kopja e tij e zbehtë Kovaçevski janë vetëm histori e lexuar, e cila do të vuloset në zgjedhjet e ardhshme parlamentare”, tha Dimçe Arsovski, VMRO-DPMNE.
Kur diplomacinë e marrin në dorë njerëz të paaftë dhe me të kaluar të dyshimtë korruptive, nuk mund të presim epilog tjetër, thonë nga Aleanca për Shqiptarët.
“Nëse në fushat e tjera do të kishim një pasqyrë tjetër, nëse nuk do të kishim një qeveri të korruptuar dhe kriminalizuar, nëse nuk do të emëronim në diplomaci politikanë të dështuar e të korruptuar, edhe pozicioni i Bullgarisë do të ishte më i vështirë… Mosmarrja e datës për bisedime në një kohë kur vendi ndodhet në krizë, me sistem të shkatërruar, me drejtësi të kapur, me korrupsion të thelluar, qytetarëve vetëm se ua rëndon jetesën. Shpresa e vetme për debllokimin e perspektivës në përgjithësi dhe integrimeve në veçanti është largimi i kësaj qeverie dhe formimi i një qeverie të pastër dhe të pakorruptuar”, u shprehën nga Aleanca për Shqiptarët.
Një takim në Romë mes kryeministrave Dimitar Kovaçevski dhe Kirill Petkov ishte pa epilog, që nënkupton se Bullgaria nuk është e gatshme të lëshojë pe nga kërkesat e saja edhe tani kur kanë mbetur edhe pak ditë nga samiti i Këshillit të Bashkimit Evropian.
Kovaçevski tha se nuk lidhet me datat dhe se vendimi i qershorit nuk do ta lëkundë synimin strategjik të vendit. Në fillim të qershorit vendet anëtare të BE-së mes tjerash do të diskutojnë edhe për politikën e jashtme por pa pajtimin e Bullgarisë, nuk mund të ketë miratim për hapjen e negociatave me Shkupin.
alsat