Megjithë ndërmjetësimin ndërkombëtar, liderët e katër partive më të mëdha parlamentare në Maqedoni nuk kanë arritur marrëveshje në bisedimet për zgjidhjen e krizës politike.
Bisedimet e partive kryesore maqedonase u zhvilluan me ndërmjetësimin e komisionerit europian për zgjerimin, Johanes Hahn, dhe ambasadorëve të BE-s Aivo Orav dhe SHBA-ve Jess Bailey. Por edhe pas shtatë orëve negociata palët nuk lëshuan pe lidhur me datën e mbajtjes së zgjedhjeve. LSDM-ja opozitare kërkon përmbushjen e kushteve të tërësishme që dalin nga marrëveshja e Përzhinës ndërsa tri partitë e tjera, VMRO-DPMNE dhe BDI në pushtet si dhe PDSH opozitare theksojnë se marrëveshjet e mëparshme të qershor/korrikut të Përzhinës përmbanin datën 24 prill për zgjedhje dhe ajo duhet respektuar.
Zaev: Pa plotësim të kushteve nuk marrim pjesë në zgjedhje
Kreu i LSDM-së, Zoran Zaev theksoi se zgjedhjet mbeten të papranueshme për opozitën maqedonase pa rregullimin e gjendjes së mediave dhe mbi të gjitha, pastrimin e listës zgjedhore. “Nëse zgjedhje të tilla, pa këto kushte, mbahen më 24 prill, ne nuk do të marrim pjesë. Përkundrazi, do të vazhdojmë të luftojmë për kushte korrekte për mbajtje zgjedhjesh. Do vazhdojmë të luftojmë për një Maqedoni të lirë. Negociatat dështuan”, ka deklaruar lideri i opozitës maqedonase Zoran Zaev.
Gruevski : Opozita ka bllokuar shtetin
Kryetari i VMRO-DPMNE-s Nikolla Gruevski fajin e dështimit të bisedimeve ia ka hedhur vetëm liderit të opozitës Zoran Zaevit. “Komisionari Hahn na tha se kishte marrë garanci nga kryetari i KSHZ-së se janë krijuar kushte dhe se nuk ka asnjë pengesë për mbajtjen e zgjedhjeve, ndërsa informacione të njëjta kishte marrë edhe nga misioni i OSBE-ODIHR se nuk ka pengesa. Ka kohë që të përgatitet gjithçka që zgjedhjet të mbahen në 24 prill. Vetëm një njeri angazhohet që të vazhdojë ta thellojë krizën politike me sjelljen e tij, e ai është kryetari i LSDM-s Zoran Zaev”, ka theksuar Nikolla Gruevski.
Ahmeti : Ineresat e shtetit mbi ato partiake
Lideri i BDI-së Ali Ahmeti ka thënë se partia e tij kërkoi respektimin e marrëveshjes së Përzhinës. “Kërkova të respektohen arritjet e deritanishme të saj, të vihen interesat e shtetit mbi ato partiake. Sigurisht që të gjitha palët kishin dallimet e tyre, nuk arritëm për fat të keq të pajtohemi me datën e zgjedhjeve. Tri parti politike ranë dakord për respektimin e plotë të saj, por njëra nga partitë, jo. Në ditët në vazhdim do të tentohet të arrihet pajtueshmëri. Duhet të veprojmë të gjithë së bashku, të vëmë interesat e shtetit mbi ato partiake dhe të bëjmë përpjekje për një zgjidhje konsensuale. Pres që në ditët në vijim, palët të reflektojnë dhe të marrin angazhime e përgjegjësi”, ka theksuar kryetari i BDI-s Ali Ahmeti.
Lideri i opozitës shqiptare , kryetari i PDSH-s Menduh Thaqi që doli i pari nga takimi nuk është prononcuar para mediave për dështimin e negociatave.
Hahn : Maqedonia në situatë tejet të vështirë
Komisioneri i BE-s për zgjerim Johanes Hahn ka theksuar se tani fati i Maqedonisë varet më së shumti nga vetë liderët e vendit. Ai tha se kur të arrihet pajtimi, BE-ja është e gatshme të mobilizojë ndihmën dhe institucionet e saj për monitorim të zgjedhjeve.
“Vendi është në një situatë shumë të vështirë. Nuk duhet të mos harrojmë krizën e emigrantëve që po përjeton Evropa, dhe kjo mund të ndikojë akoma më shumë në vendin tuaj. Unë besoj se elita politike, parlamenti dhe çdo institucion tjetër, duhet t’i kushtojnë vëmendje të veçantë kësaj situate. Nuk është vetëm kjo, por edhe kriza ekonomike, perspektiva euro-atlantike! Vendimmarrja tani është më e rëndësishme se kurrë. Duhet të arrihet një pajtim politik. Tre parti politike iu përmbajtën datës 24 prill, por tani, palët duhet të merren vesh. Sot ishte e pamundur të arrihej një marrëveshje” ka vlersuar komisioneri Johanes Hahn
Eurokomisari Hahn theksoi se do të vijë edhe një herë në Maqedoni, pasi e vetmja gjë që mund të bëjë është të tregojë se institucionet evropiane janë në dispozicion dhe janë aty. Para ardhjes së eurokomisionerit Hahn në Shkup (e premte 15 janar) kryeministri Nikolla Gruevski duke u mbështetur në afatet e marrëveshjes së Përzhinës kishte deponuar dorheqjen e tij në kabinetin e kryetarit të Parlamentit. Pas dështimit të negociatave për caktimin e datës së mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare me 24 prill të këtij viti i pyetur se a vlen ende dorëheqja e tij, Gruevski tha se ajo është deponuar dhe se do të aktivizohet 100 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve. (dw)