Rreth orës 18:30 në Tetovë afër selisë së BDI-së ka ndodhur një incident i armatosur, ku sipas informacioneve të para një person ka mbetur i vrarë dhe dy të tjerë janë plagosur.
Incidentin për Telegrafi Maqedoni e kanë konfirmuar edhe nga Policia e Tetovës, të cilët thanë se në lidhje me këtë incident janë arrestuar dy persona.
Personat e plagosur, prej të cilëve njëri më rëndë i lënduar janë dërguar në Klinikat e Shkupit, së bashku me trupin e personit të vrarë.
Për këtë incident ka reaguar edhe BDI-ja, prej ku hodhën poshtë informacionet se ky rast ka të bëjë me partinë e tyre.
“Bashkimi Demokratik për Integrim edhe sot, sikurse edhe çdo ditë tjetër, ka vazhduar me aktivitetet e saja të zakonshme. Përgënjeshtrojmë çdo informacion lidhur me atë se sot në Bashkimin Demokratik për Integrim ka patur përleshje apo incident. Ne si subjekt politik nuk kemi dhe nuk mund të kemi përgjegjësi për incidentet eventuale që nuk kanë të bëjnë me Bashkimin Demokratik për Integrim dhe për Bashkimin Demokratik për Integrim”, thanë nga BDI.
Identiteti i personave të përfshirë në këtë incident zyrtarisht akoma nuk është bërë i ditur, ndërsa në disa mediume shkruhet se personi i vrarë dhe të plagosurit janë nga Kumanova.
Pritet që më vonë policia të jep detaje tjera rreth këtij incidenti dhe të zbulojë motivet e vrasjes./Telegrafi/