Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, sot kur shënojmë 14 vjetorin e nënshkrimit të Deklaratës së Partneritetit Strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mbajti një konferencë për media kushtuar dialogut të ardhshëm strategjik ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të zhvillohet më 2 qershor në Uashington.
Maqedonia e Veriut do të jetë vendi i parë në Ballkanin Perëndimor që do të zhvillojë një dialog strategjik me Shtetet e Bashkuara, që është një sukses i madh diplomatik, por edhe pjesë e rëndësishme e përmbushjes së interesave tona strategjike në përputhje me kursin euroatlantik të vendit.
“Dialogu strategjik ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara është një konfirmim i kësaj aleance të fortë mes dy vendeve dhe në të njëjtën kohë një forum i rëndësishëm që do të sigurojë përmirësimin e partneritetit strategjik, forcimin e bashkëpunimit dhe në një farë mënyre ngritjen e marrëdhëniet dypalëshe në një nivel më të lartë. Do të thotë inkuadrim i bashkëpunimit bilateral në një formë të mirëfilltë institucionale, të udhëhequr nga diplomatët e dy vendeve, që në planin afatmesëm dhe afatgjatë sigurisht që do të kontribuojë në forcimin dhe thellimin e bashkëpunimit në një fushë më të gjerë”, tha Osmani.
Në kuadër të Ministrisë së Punëve të Jashtme tashmë është krijuar një grup pune me diplomatë me përvojë, të cilët do të punojnë për përgatitjen e suksesshme të dialogut strategjik, ndërsa javën e ardhshme do të formohet një grup pune më i gjerë ndërministror, i cili do të përfshijë një numër të madh përfaqësuesish nga disa ministri, institucione dhe agjenci në vend, dhe i cili do të ketë për detyrë të përcaktojë propozimet dhe planet konkrete dhe të detajuara që do të diskutuar gjatë dialogut strategjik.
Dialogu strategjik do të përfshijë tema nga marrëdhëniet dypalëshe, por edhe ato që janë me interes të madh global. Fokusi do të jetë në mbrojtjen dhe bashkëpunimin ekonomik, tregtinë dhe investimet, por edhe arsimin, transportin, energjinë, ndryshimet klimatike, zhvillimin demokratik, luftën kundër korrupsionit, sundimin e ligjit etj.
Telegrafi