Parlamenti i Maqedonisë pritet ta miratojë kryeministrin e ri të qeverisë teknike, pas dorëheqjes së Nikolla Gruevskit. Partia e këtij të fundit, VMRO-DPMNE ka caktuar kandidatin për postin e drejtuesit të qeverisë teknike, dhe ai është Emil Dimitriev, aktualisht sekretar i përgjithshëm i partisë. Zoti Dimitriev, po ashtu është zëvendës-minisër i Mbrojtjes.
Presidenti i vendit, Gjorgje Ivanov, ia dorëzoi madantin për formimin e qeverisë së re, kandidatit Dimitriev.
Dy ministrat e Lidhjes Social Demkorate në qeverinë e Shkupit, sipas burimeve brenda partisë, nuk pritet të marrin pjesë në seancën e parlamentit për miratimin e kryeministrit të ri.
Parlamenti, ndërkohë e pranoi dorëheqjen e kryeministrit Nikolla Gruevski. Ndërkaq, dy partitë në pushtet, VMRO dhe BDI i kanë kërkuar kryetarit të Parlamentit, Trajko Veljanovski që deri më 24 shkurt ta shërbëjë parlamentin.
Tashmë, ish-kryeministri maqedonas, njoftoi për dorëheqjen e tij para katër ditësh, duke u munduar që në këtë mënyrë t’ia hapë rrugën zgjedhjeve të parakohshme. Partia e tij, VMRO-DPMNE me koalicionin e saj të partive të vogla kanë kërkuar të hënën që zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbahen në datën e caktuar prej më parë, që është 24 prilli. Edhe Bashkimi Demokratik për integrim mendon se zgjidhja e krizës politike në vend do të ishte tek zgjedhjet e 24 prillit. Por, Lidhja Social Demokrate dëshiron shtyrjen e datës së zgjedhjeve, për shkak të mospërgatitjes, sipas saj, të vendit për mbajtjen e zgjedhjeve në prill. Dhe, si çështje më kritike këtu shikohet regjistri i papapastruar zgjedhor.
Komisioneri për zgjerim i BE-së Johannes Hahn, duke folur nga Brukseli në margjinat e Këshillit të ministrave të jashtëm të BE-së, u ka bërë thirrje drejtuesve politikë në Maqedoni që të gjejnë një kompromis lidhur me datën e zgjedhjeve. (voa)