Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar në Sofje Bozhidar Dimitrov, ka nisur fushatën për shndërrimin e maqedonasve në bullgarë. Teza e tij: gati të gjithë maqedonasit janë bullgarë.
Bozhidar Dimitrovi është drejtor i Muzeut Historik Kombëtar në Sofje dhe çdo të shtunë mban ligjërata në një emision televiziv në Bullgari. Gati 70-vjeçari trajtohet si kujdestar i vlerave historike bullgare dhe propagandues i çështjeve kombëtare. Me tezat populiste ai kërkon ndryshimin e ligjit, me qëllim që maqedonasit të kenë të drejtën të marrin nënshtetësinë bullgare. Ai thotë se maqedonasit nuk duhet të kenë dëshmi për prejardhjen bullgare. Historiani Bozhidar Dimitrov shpjegon: “13 shekuj, deri në vitin 1944, në Maqedoni kanë jetuar bullgarët. Dhe një ditë u është thënë se ata nuk janë më bullgarë por maqedonas dhe se ata nuk kanë lidhje me Bullgarinë. U është thënë se ata do të kenë një shtet të vetin, historinë dhe gjuhën e tyre. Dhe kjo është bërë, ndaj ata kanë probleme me identitetin.”
Marrja e nënshtetësisë bullgare
Deri në 500.000 maqedonas mund të marrin nënshtetësinë bullgare dhe të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian, shpreson ai. Kjo do të ishte një e katërta e shtetasve të Maqedonisë dhe do të konfirmonte tezën se “maqedonasit janë bullgarë”, të cilën e sugjeron Dimitrovi. Dimitrovi ka punuar dikur në shërbimin sekret komunist të Bullgarisë dhe është detyruar me dhunë të heqë dorë nga posti ministror. Por ai nuk ka pikë dyshimi se do ta realizojë qëllimin e tij për ndryshimin e ligjit: “Nëse organizohemi mirë, dhe këtu kërkohet jo vetëm ndryshimi i ligjit por edhe vullneti politik, maqedonasit shumë shpejt mund të bëhen pjesë e BE. Ne kështu do t’i zgjidhnim problemet tona demografike. Të gjithë maqedonasit, me në krye kryeministrin e tyre, duan të marrin pasaportën bullgare.”
Georgievski ka pasaportë bullgare
Ish-kryeministri maqedonas Ljupço Georgievski ka pasaportë bullgare. Por ai kundërshton tezën për Maqedoninë bullgare: “Në Maqedoni kanë ekzistuar edhe 90 vite para vitit 1945 patriotë të cilët i kanë pështyrë bullgarët. Kjo vazhdon deri më sot. Mendoj se “Muri i Berlinit” mes bullgarëve dhe maqedonasve ende ekziston. Ne duhet të lirohemi nga këto paragjykime. Por prej pavarësimit të Maqedonisë është shënuar edhe një afrim me Bullgarinë.”
Në Maqedoni ndërkohë dy të tretat e banorëve kanë dyshtetësi dhe në këtë mënyrë një mundësi të madhe lëvizjeje. Edhe shoferët bullgarë vozisin makina në botën e jashtme me targa bullgare. Por në Maqedoni një e treta e popullatës janë shqiptarë. Analisti Kim Mehmeti shpjegon dallimin mes maqedonasve dhe bullgarëve: “Këta janë dy popuj, por nuk ka asnjë vend tjetër ku historia e dy popujve është kaq e ndërthurur si ajo e bullgarëve dhe maqedonasve. Në Sofje dhe në Disneyland-in Shkup i gjejmë të njëjtat përmendore.”
Maqedonia është një vend prej nga largohen shumë banorë. Dëshira për të pasur një pasaportë të BE ka bërë që shumë maqedonas të deklarohen bullgarë. Një kalimtar në rrugë thotë: “Punëtorët tanë nuk munden të kthehen në vendlindje. Së shpejti do të kemi një Maqedoni pa maqedonas.” (dw)